FBI: Hamasi paraqet kërcënime të ngjashme me ISIS-in

schedule16:23 - 31 Tetor, 2023

schedule 16:23 - 31 Tetor, 2023

Kërcënimet ndaj Shteteve të Bashkuara të ngjashme me ato të bëra nga Shteti Islamik (ISIS) mund të motivohen nga sulmet e kryera nga Hamasi në Izrael, paralajmëroi sot drejtori i FBI-së, Chris Wray, duke shtuar megjithatë se ai nuk kishte asnjë tregues se vetë Hamasi synon ose ka aftësinë të kryejë vetë sulme në tokën amerikane.

“Ne vlerësojmë se veprimet e Hamasit dhe aleatëve të tij do të shërbejnë si frymëzim, diçka që nuk e kemi parë që kur ISIS nisi të ashtuquajturin kalifat disa vite më parë. Në javët e fundit, shumë organizata të huaja terroriste kanë bërë thirrje për sulme kundër amerikanëve dhe Perëndimit”, tha Wray në Komitetin e Sigurisë Kombëtare të Senatit gjatë një seance dëgjimore mbi kërcënimet globale.

“Realiteti është se kërcënimi terrorist është ngritur gjatë gjithë vitit 2023, por lufta e vazhdueshme në Lindjen e Mesme e ka ngritur kërcënimin e një sulmi kundër amerikanëve në Shtetet e Bashkuara në një nivel krejtësisht të ndryshëm”, shtoi shefi i FBI-së.

Pas sulmeve të 7 tetorit të Hamasit ndaj Izraelit dhe sulmeve të mëvonshme izraelite kundër Rripit të Gazës të kontrolluar nga Hamasi, drejtori i FBI tha se komuniteti i inteligjencës amerikane është më i shqetësuar për sulmuesit e “ujqërve të vetmuar”, të cilët synojnë vendet perëndimore.

“Këtu në Shtetet e Bashkuara, shqetësimi ynë më i menjëhershëm është se ekstremistët e dhunshëm, individë apo grupe të vogla, do të frymëzohen nga ngjarjet në Lindjen e Mesme për të kryer sulme kundër amerikanëve në jetën e tyre të përditshme”, paralajmëroi ai në Kongres.

Sipas drejtorit të FBI-së, kërcënimi i mundshëm nuk vjen vetëm nga aktorët e frymëzuar nga Hamasi. Irani dhe Hezbollahu gjithashtu përbëjnë një kërcënim të mundshëm për SHBA-në si për sulmet kibernetike ashtu edhe për ato kinetike. ISIS dhe al-Kaeda kanë lëshuar gjithashtu thirrje për veprim, tha Ray.

“Ne jemi duke monitoruar nga afër se çfarë ndikimi mund të kenë ngjarjet e fundit në qëllimet e këtyre grupeve këtu në Shtetet e Bashkuara dhe se si ato synime mund të evoluojnë,” vazhdoi drejtori i FBI, duke zbuluar se agjencia kishte arrestuar një burrë në Hjuston vitin e kaluar, i cili u akuzua për hulumtimin e mënyrave për të ndërtuar bomba ndërsa “ngarkonte” mesazhe në internet mbështetjeje për vrasjen e hebrenjve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!