Erlis Hereni, administrator në kompaninë me kapital shtetëor që do të përfaqësojë shtetin shqiptar në bashkëndërtimin e Portit të ri të Durrësit, Albanian Seaport Development Company, ka shpjeguar në “Radari Informativ” disa nga pyetjet që janë ngritur rreth këtij projekti të ri.
Së pari, Hereni sqaroi se nuk është e vërtetë që gjatë fazës së parë të ndërtimit të Portit të Durrësit do të bllokohen pjesa operacionale e portit. Kjo pasi, sipas asaj që shpjegoi ai, në këtë fazë pjesa operacionale e portit nuk do të preket.
Pas 5-7 vitesh gjatë së cilave parashikohet që të përmbushet faza e parë e projektit, parashikohet po ashtu që në Porto Romano të jenë të gjitha kapacitetet që pjesa e operacionale të zhvillohet aty.
Synimi i projektit, thotë Erlis Hereni, është që hapësira që zë sot porti tregëtar i Durrësit të rizhvillohet. Po ashtu, sipas asaj që shpjegoi administratori i Albanian Seaport Development Company, projekti përfshin edhe bonifikimin e 700 metrave lienarë toke që do të kthehet në plazh.
Projekti do të ketë gjithashtu 12 mijë njësi në apartamente, dhoma hotelerike, parkingje e etj.
“Për ta kthyer nga një port që bën vetëm ngarkim shkarkim, në një port që do të presë jahte, super jahte, mega jahte,” tha ai.
Sa i përket Porto Romanos, Hereni thotë se puna ka filluar, por nuk mundi të thotë se sa do të zgjasin punimet. Koha e parashikuar për ndërtimin e portit do të jetë 20 vite, ndërsa për administrimin e marinës kompania ka 35 vite. /abcnews.al/