Eksperti kryesor i sëmundjes infektive në SHBA, Anthony Fauci ka deklaruar se vaksina kundër koronavirusi nuk mun dtë bëhet e detyruar për të gjithë amerikanët.
Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se eksperti ka theksuar se asnjë qytetar nuk mund të detyrohet që të bëjë vaksinën nëse nuk e do një gjë të tillë.
“Unë nuk mendoj se do të shihni ndonjëherë një miratim të detyrueshëm të vaksinimit, veçanërisht për publikun e gjerë. Nëse dikush refuzon vaksinën, atëherë nuk ka asgjë që mund të bësh për këtë. Ju nuk mund ta detyroni dikë të marrë një vaksinë”, tha mjeku amerikan.
Komentet e 79-vjeçarit bien ndesh me ato të kryeministrit australian, Scott Morrison, i cili më herët tha se do të dëshironte të bënte të detyrueshëm vaksinimin për të gjithë australianët.
Morrison po fliste pasi qeveria që drejton nënshkroi një marrëveshje me kompaninë anglo-suedeze AstraZeneca për të prodhuar vaksinën e mundshme COVID-19, e cila u zhvillua nga Universiteti i Oksfordit.
Studiuesit shpresojnë të kenë rezultate efikase gjatë testimit të Fazës së Tretë deri në fund të vitit./abcnews.al