Fatos Tarifa: Më bezdis përpjekja e fesë për të indoktrinuar individin njerëzor

schedule21:33 - 13 Shtator, 2019

schedule 21:33 - 13 Shtator, 2019

“Fjalori i paradokseve” nga Fatos Tarifa, ishte libri në të cilën u bazua biseda e zhvilluar mbrëmjen e sotme në “Provokacija” me Mustafa Nanon. Libri i Prof. Tarifës është i mbushur me maksima, me thënie të shkurtra të cilat sintetizojnë një mendim apo një qëndrim të vetë Tarifës në momente të caktuara. Në bisedën e zhvilluar në studion e “Provokacija”, profesor Fatos Tarifa shprehu mendimin e tij në lidhje me fenë dhe arsimin në shoqërinë shqiptare, për të cilat është shprehur dhe në librin e tij më të fundit.

Mustafa Nano: A ka një libër të tillë këtu në Shqipëri?

Fatos Tarifa: Jo, Gustav Flober ka një të tillë nga ku u ngacmova dhe unë në fakt. Dhe mendova të provoj edhe unë, si mund të vlerësoj shumë prej nocioneve që përdorim rëndom në jetën e përditshme.

Mustafa Nano: Janë gjëra të shkruara gjatë jetës?

Fatos Tarifa: Jo janë të shkruara këto dy vitet e fundit.

Mustafa Nano: A është e lehtë të jesh i lumtur në Tiranë?

Fatos Tarifa: Është e vështirë të jesh i lumtur edhe në Kaliforni. Është e lehtë të jesh i lumtur në Tiranë nëse zgjedh të jesh i tillë. Ti bën zgjedhjet e duhura në jetë dhe nuk ke pritshmëri të parealizueshme. Ato që shpesh e dëshpërojnë individin janë mosrealizimi i atyre ëndrrave dhe pritshmërive që ai ka.

Mustafa Nano: Ju më keni thënë që nuk para lexoni shqip.

Fatos Tarifa: Ja u kam thënë sepse, në fushën time nuk shoh kolegë që të shkruajnë gjëra nga të cilat do të mësoja më shumë. Njeriu kur lexon, lexon ose për të shuar një kureshtje ose për të mësuar nga ajo çfarë lexon. Ka shumë literaturë “surrogato”, po shohim përditë e më shumë plagjiaturë. Njerëz me emër, njerëz drejtues, bëjnë plagjiaturë dhe nuk kanë mendimin tyre origjinal. Jeta është aq e shkurtër saqë duhet të zgjedhësh. Unë sot bleva librin tuaj “Sandwich” në shqip  për ta lexuar.

Mustafa Nano: A ju bezdis prania e fesë?

Fatos Tarifa: Jo, më bezdis përpjekja e saj për të indoktrinuar individin njerëzor. Unë e përcaktoj individin si ateist të lindur, pa idenë e fesë. Cdo njeri lind pa asnjë ide në kokë dhe disa nga ne vdesin po ateist dhe disa fetar.

Mustafa Nano: Çfarë mendoni për besimtarët?

Fatos Tarifa: Është një e drejtë dhe një liri që çdo njeri duhet ta ushtrojë lirshëm, jo nën trysninë dhe presionin e institucioneve dhe agjencive.

Mustafa Nano: Më keni dhënë përshtypjen se i mendoni njerëzit fetar si me IQ të ulët?

Fatos Tarifa: Jo domosdoshmërisht. Besimi është çështje individuale, natyrisht historia e zhvillimit të shkencës tregon se mendjet më të mëdha që kanë çuar përpara zhvillimin shkencor-shoqëror, kanë qenë njerëz jo besimtar. Feja është një nevojë. Ka njerëz që e ndjejnë këtë nevojë dhe për këtë arsye diku do të mbështeten, është një shpresë, ushqen një shpresë. Unë asnjëherë nuk kam besuar në një fuqi të mbinatyrshme. Në vitet 90’ pati një amulli të madhe mendore nga fakti që feja ishte e ndaluar dhe tani ajo duhej lejuar. Njerëzit nuk qenë të përgatitur, ne flasim për shqiptarët si një popull me shumicë myslimane me mbi 70 % e cila është një gënjeshtër e madhe. Në vitin 91’, unë bëra një survey për Departamentin e Shtetit dhe më rezultoi se, 52 % e shqiptarëve ishin skeptikë, jo besimtarë, ateist. Vetëm 26 % rezultoi se identifikoheshin si myslimanë. Në një pyetësor që bëra me intelektualë e profesor universitetesh, më rezultoi se pjesa më e madhe e atyre që studiojnë shkencat natyrore ekzakte, nuk janë besimtarë, po kështu një pjesë e madhe e atyre që studiojnë humanitetet. Shumë pak prej tyre rezultuan të jenë fetar të dedikuar.

Mustafa Nano: E keni vënë re që në Shqipëri shkrimet kritike ose janë qoka ose janë shkrime që hedhin baltë?

Fatos Tarifa: Është tërësisht e vërtetë dhe fatkeqësisht në Shqipëri ka humbur kritika letrare. Në vitet 80’ kemi patur kritikë por tani ka humbur.

Mustafa Nano: Të mbajturit e titullit profesor, që në Shqipëri e ka humbur kuptimin e vet, shumë njerëz e mbajnë, fare pak janë ata që e meritojnë, një nga të vërtetat më të hidhura…

Fatos Tarifa: Po një nga të vërtetat më të hidhura të kësaj shoqërie. Ne shpresojmë të bëjmë një reformë në arsimin e lartë me këta profesor të cilët do të krijojnë profesor të tjerë që do jenë po si këta ose më keq akoma. Ky sistem nuk do ndryshojë ndonjëherë. Unë vetë kam një episod nga jeta ime personale. Edhe pse me dy doktoratura të huaja dhe me një përvojë në mësimdhënie në 5 universitete amerikano-hollandeze, hoqa peripecitë për të marrë titullin e profesorit kur u ktheva në Shqipëri sepse më luftuan këta profesorë, disa prej të cilëve ishin dhe shokë të cilët kishin akumuluar një përvojë shumë më të pakët dhe kishin merita shumë të pakta madje mburreshin se kanë ndihmuar shokë të tyre të dobët të kalojnë pengesat për të marrë titullin e profesorit. Unë desha ta fitoj me gjyq një gjë që duhet të më ishte dhënë për meritat e mia. Sot fatkeqësisht kemi shumë profesorë të paaftë.

Mustafa Nano: Në planin akademik, a ka një jetë akademike këtu?

Fatos Tarifa: Nuk ka, i vetmi universitet në të cilin ka një frymë, një ethos kërkimor akademik, është Universiteti Europian i Tiranës. Në akademinë e shkencave nuk bëhet fjalë për kërkim. Kërkime të mirëfillta studimore nuk bëhen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!