Rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve parlamentare në Francë konfirmon se Europa po hyn në një fazë jashtëzakonisht të vështirë që mund të rezultojë të jetë kritike për të ardhmen e saj.
Fitorja e së djathtës ekstreme dhe mundësia për të siguruar shumicën absolute të mandateve të dielën e ardhshme krijon të dhëna krejtësisht të reja për Francën dhe Europën.
Para së gjithash, miti i Francës Europiane shembet edhe një herë. Le Pen ka marrëdhënie të ngushta me presidentin rus Putin dhe karakterizohet nga një anti-europianizëm intensiv. Fillimisht ajo donte ta nxirrte Francën nga BE-ja, më pas vetëm nga eurozona, ndërsa së fundmi po debaton për uljen e kontributit francez në buxhetin tashmë të pakët europian.
Ndërsa presidenti Macron shfaqet si kampioni i integrimit europian me theks në politikën e jashtme dhe mbrojtjen, fituesja e zgjedhjeve Le Pen dëshiron më pak Europë dhe më shumë.Francë, siç do të thotë ajo, një vend për francezët e bardhë, pa myslimanë dhe të drejta për emigrantët.
Partia e Le Pen (Tubimi Kombëtar), e cila fitoi raundin e parë me 33.1%, u mbështet në shtresat e mesme të prekura nga politikat liberale të Macron. Rritja e kostos së jetesës, degradimi i shërbimeve publike dhe konflikti i pashmangshëm për reformën e sistemit të sigurimeve janë shkaqet kryesore të rritjes së së djathtës ekstreme franceze.
Pas rezultatit zgjedhor të raundit të parë, ajo u kërkoi votuesve republikanë të votojnë me ndërgjegje në raundin e dytë, duke e konsideruar Frontin Popullor të majtë si rrezikun më të madh për Francën.
Macron është humbësi i madh me 20.7%. Narrativa e tij politike nuk shkoi siç ai e priste, pasi çoi në ngritjen e të dy ekstremeve. Ideja se mund të jesh edhe i djathtë edhe i majtë, duke qenë centrist, doli të ishte një rrugë pa krye.
Dy zhvillime politike rezultuan fatale për presidentin francez: së pari, vendimi i republikanëve për të lëvizur drejt së djathtës ekstreme, e la atë pa rezerva të krahut të djathtë.
Dhe së dyti, vendimi i socialistëve për të bashkëpunuar me të majtën radikale e la atë pa rezerva të qendrës së majtë. Sigurisht që këto zhvillime nuk kanë ndodhur rastësisht. Ata kanë arsye të qarta politike.
Macron u përpoq të kapërcejë linjat ndarëse ideologjike tradicionale duke futur një vijë tjetër ndarëse, atë midis racionalizmit dhe populizmit.
Por kushtet që u formuan në Francë dhe në përgjithësi në Europë vitet e fundit, duke zgjeruar pabarazitë sociale, bënë që vija e tij ndarëse të dukej e rremë dhe pa përmbajtje.
Racionalizmi i Macron është identifikuar në ndërgjegjen franceze me një reformë jopopullore të sigurimeve, me tkurrjen e shtresës së mesme që pagoi koston e krizës energjetike të luftës Rusi-Ukrainë, me pamundësinë për të integruar qytetarët francezë të ardhur nga ish-kolonitë.
Por çfarë do të ndodhë tani e tutje?
Presidenti francez ka edhe tre vjet përpara, deri në zgjedhjet e 2027-ës për të bërë diçka.
Situata në Francë, ku është e sigurt se Le Pen do të sfidojë legjitimitetin e tij popullor dhe bashkë me të edhe fuqitë dhe vendimet e tij de facto e dobëson Macron edhe në rolin e tij në Europë.
Problemi do të fillojë me ekonominë franceze, e cila po përballet me një deficit të madh, borxh në rritje dhe mungesë konkurrence dhe detyrimisht do të kalojë edhe në BE.
Ajo që po ndodh në Francë duhet të na shqetësojë. Disa flasin për një ndryshim historik.
Mësimet nga zhgënjimi i Macron duhet të studiohen me kujdes nga europianët, të cilët duhet të gjejnë mjete të reja politike për t’u marrë me atë që për kaq shumë vite kanë ngjallur si populizëm dhe irracionalitet.
/abcnews.al