Fasoneritë në Shkodër ndotin lumin Kir, specialisti: Duhet ndihma e qeverisë dhe bizneseve

schedule14:19 - 3 Korrik, 2021

schedule 14:19 - 3 Korrik, 2021

Mund të duket si një landfill, por jo, është shtrati i një lumi.

Nëse do të mësosh sa i pastër është një qytet mjafton të shohësh lumenjtë e tij. Qyteti i Shkodrës është rrethuar nga tre lumenj.

Lumi Kir në të gjithë gjatësinë e tij është kthyer në vend depozitim mbetjesh.

Inerte që dëmtojnë argjinaturën dhe mbetje industriale që hidhen nga fabrikat e Shkodrës. Kur ka reshje ai vërshon bëhet i rrezikshme dhe merr me vete mbetjet që përfundojnë nga lumi Buna drejt detit Adriatik. Pastrimi i tij duket thuajse i pamundur.

“Duhet një bashkëveprim i institucioneve që bëjnë menaxhimin e mbetjeve në Shkodër, pra administrata me komunitetit. Pastrimi nuk është vetëm një veprim i njëanshëm që duhet ta bëj vetëm bashkia Shkodër, por është një veprim i përbashkët që duhet të bëhet nga administrate, firmat pastruese dhe bizneset”, thotë specialisti i mjedisit Mark Rupa.

Ndotja e ujërave, ndikon edhe tek shëndeti I qytetarëve. Specialisti i mjedisit Mark Rupa tregon dy rreziqet kryesore.

“Në lumë hidhen mbeturine. Janë sporadike, por duhet të marrim masa masat që të mos hidhen më. Ne e marrim ujin në nëntoke, dhe këto  grimca shkojnë në ujë. Ndotjet në ujë rrezikojnë jetën e njerëzve.  Ato me kalimin e kohës shpërbëhen në grimca që i marrin peshqit, e më pas i konsumojmë ne dhe fëmijët tanë duke krijuar raste fatale shëndetësore për jetën”, thotë ai.

Ajo që duhet është më shumë vëmendje nga qeveria.

“Ky është një problem kombëtar. Ka disa faktorë që duhet të merren nga qeveria si për shembull të krijohen skema ekonomike që nxisin riciklimin. Elementi i dytë të ndalet prodhimi i mbetjeve që në prodhim…Po ashtu me rëndësi është edhe ndarja e mbeturinave gjë të cilën nuk e shohim prezent në Shqipëri”, sqaron specialisti.

Problemi me ndotjen është edhe në liqenin e Shkodrës.

“Nga pjesa shqiptare ky liqen ndotet shumë pak. Por problem kemi në Zogaj për shkak të turistëve më të shumtë”, thotë ai.

Mungesa e investimeve dhe ndotja e Lumit Kir e Bune dhe Liqeni i Shkodrës janë kthyer në problem që nuk po gjen zgjidhje. Këto lumenj dhe liqeni janë pjesë e bazenit më të madh ujëmbledhës të Ballkanit./abcnews.al/