Familjet e prekura nga tërmeti, Veliaj: Po plotësojmë dhe nevojat për elektro-shtëpiake

schedule14:42 - 2 Shtator, 2019

schedule 14:42 - 2 Shtator, 2019

Në krah të Bashkisë së Tiranës, për të ndihmuar familjet e prekura nga pasojat e tërmetit që preku vendin javën e shkuar kanë dalë edhe përfaqësitë diplomatike të akredituara në vendin tonë. Ndër të parat që po jep ndihmën e saj është Ambasada e Kuvajtit.

Ndihma për familjet e prekura nga tërmeti në Tiranë nuk ka ardhur vetëm nga vendasit, por dhe nga të huajt.

 “Kemi sot tre trailerat e parë; një përgjigje e menjëhershme e Ambasadës së Kuvajtit, popullit kuvajtian, qeverisë kuvajtiane. Na kanë sjellë nevojat bazë të emergjencës si batanije dhe ushqime, teksa jemi duke ndërtuar shtëpitë e dëmtuara“, tha Veliaj.

Bashkë me Ambasadorin e Kuvajtit në Tiranë kryebashkiaku Erion Veliaj u shpërndau pakot banorëve të ndodhur në vështirësi dhe shpjegoi se ndihma e këtij shteti nuk është vetëm kaq.

“Ambasada e Kuvajtit na ka ndihmuar edhe për pjesën pas ndërtimit të shtëpive, pra përveç se do ndërtojmë disa shtëpi bashkë, kemi marrë edhe elektro-shtëpiaket, lavatriçe, frigoriferë, shumë pajisje, që disa prej këtyre familjeve, që janë me ndihmë ekonomike, as nuk i kanë pasur ndonjëherë, me shtëpi të ndërtuara në vitet ‘50-’60 me mjete rrethanore, me gurë, baltë, kashtë e kallamishte”, tha kryebashkiaku.

Menjëherë pas tërmetit, Bashkia e Tiranës nisi punën për rindërtimin e banesave të dëmtuara, ku krahas fondit të saj kontribut të rëndësishëm po jep edhe biznesi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!