Familja Durma kalon dimrin e tretë në çadër: Jemi veshur si mullar

schedule15:34 - 24 Dhjetor, 2021

schedule 15:34 - 24 Dhjetor, 2021

Është dimri i tretë që familja Durma nga Fushë-Mamurrasi po e kalon në çadër. Veliu është invalid, ka mbetur vetëm me bashkëshorten në fshat. Djali me familjen është larguar.

Sado që përpiqen që shiu mos t’ju depërtojë brenda çadrës kjo është e pamundur. Rrobat dhe orenditë janë lagur.

“Dimri është i fortë çdo gjë e vështirë, s’po llogaritim asgjë. Vetëm të jemi ngrohtë, s’jemi rehat në çadër duhet ta mbyllim mirë. Jemi veshur trashë si mullar s’kemi lënë rroba pa veshur. Lagështira është e madhe. Ka erë të rëndë si plastikë.”

Kryefamiljari vuan nga disa sëmundje kronike dhe merr kemp. “Na dhanë ndihma në fillim për festa sa të na mbulonin sytë, më pas s’na ka parë më njëri a jemi gjallë a kemi vdekur! Jetojmë bashkarisht me 80 mijë lekë të vjetra me ato burri merr ilace e diabetit, tensionit, zemrës.”

Hera herës kthehen në shtëpinë që ju shkatërroi tërmeti duke rrezikuar jetën.

Ende nuk kanë një përgjigje se kur do të hyjnë në banesë të re.

“Ka dalë për prishje, do bëhet shtëpi e re. Shteti na ka thënë se do na bëjë shtëpi në pritje jemi, se të ardhura të tjera nuk kemi. Me shpresa.”

Paratë e bonusit i ka marrë i biri që ka mundur të marrë me qira për familjen e tij apartament me një dhomë në Mamurras. Të moshuarit prej hapësirës së vogël dhe bagëtive nuk lëvizën nga fshati. /abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!