Deputeti i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj thotë se projektligji i kësaj force politike për falje gjobash për ndërtimet pa leje në zonat rurale, është një nismë e cila do të mbështesë të gjithë qytetarët.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Xhafaj u shpreh se shumë qytetarë janë gjobitur pa të drejtë, pasi nuk kanë pasur njohuri për ligjin.
Xhafaj shtoi se opozita ka qenë dakord kur e ka lexuar projektligjin, por në Kuvend nuk e pranoi.
“Ne kemi sjellë një projektligj që do të sigurojë faljen e gjobave kryesisht për qytetarët e zonave rurale. Janë gjobitur për riparim avllie, fasada të jashtme. Janë gjobitur dhe sipas atyre që kanë qenë proceduar ligjore, ne kemi kërkuar të kishte thjeshtëzim të procedurës vetëm me një njoftim, ku ka pasur ndryshime të vogla në çati, avlli, një procedurë që duhet të ishte sa më e thjeshtë dhe një ndryshim i domosdoshëm. Ligji ka ndryshuar përpara verës, ka pasur një numër të caktuar gjobash, shumë të mëdha. PS ngriti një grup pune për të parë efektet e këtyre gjobave. U vendos që kjo të ndryshojë, të thjeshtohet. Ne kemi propozuar sot, që të ketë falje të gjobave që rëndojnë mbi qytetarët. Kjo është diçka e diskutuar me kolegët e opozitës dhe kemi rënë dakord në momentin që e kemi diskutuar. Ndryshimi ligjor është bërë për të gjithë qytetarët në zonat rurale, por janë disa institucione që vendosin gjoba.
Një pjesë e tyre nuk janë të procesuara në sisteme. Besojmë që veçanërisht që për këto ndryshime, që nuk janë ndryshime strukture, por rregullime, riparime, për këto nuk duhet të kemi asnjë masë ligjore. Kjo ndodh nga Konsipoli në Vermosh. Për ta ditur se sa janë, do të donte kohën e vet. Kjo ka të bëjë me zonat rurale. Për ata qytetarë që pasojë e një dëmi, vjetërsi të shtëpisë, që nuk kanë mundësi të marrin leje, të mund ta bëjnë këtë me një njoftim. Ky është ndryshimi ligjor. Në disa raste nuk është njohur ligji dhe janë gjobitur në mënyra të padrejta”, theksoi ai./abcnews.al