Falimentojnë 1500 biznese në Kosovë/ Beqiri: Qeveria duhet të bëjë më shumë për eksportet dhe investimet kapitale

schedule14:27 - 12 Shkurt, 2024

schedule 14:27 - 12 Shkurt, 2024

1500 biznese shpallën falimentin gjatë vitit 2023 në Kosovë. Problem mbetet mungesa e politikave zhvillimore dhe qasja e kufizuar në financa. Këto janë disa nga shkaqet që çojnë në vështirësi të mëdha te bizneset dhe të cilat mund të jenë faktorë kontribuues në falimentimin e shumë prej tyre.

Zana Beqiri, drejtoreshë e Dhomës së Tregtisë së Kosovës, në një intervistë për “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, theksoi se ndikojnë disa faktorë si kushtet e kreditimit, ligji i punës apo edhe eksportet. Beqiri theksoi se qeveria duhet të bëjë më shumë sa i përket rritjes së eksportit.

“Është një rritje pak më e madhe prej viteve të kaluara. Nga bizneset shumicën e kohës ankesat vijnë rreth kushteve të pavolitshme të kreditimit, ligji i punës nuk është aspak i favorshëm sa i përket punëdhënësve, lehtësirat e ndryshme që i ofrohen shumicës së vendeve në rajon sa i përket eksportit, ne në shumë raste nuk i kemi. Për këtë arsye mendojmë se qeveria duhet të bëjë shumë më tepër sa i përket rritjes së eksportit dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare në sektorin privat.“, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se qeveria duhet ta vendosë fokusin tek investimet kapilare.

“Sa i përket politikave, duhet të kemi fokus më të madh në investimet kapitale. Edhe vitin e kaluar, edhe sivjet investimet janë në përqindje shumë të vogël. Vitin e kaluar kemi pasur edhe vonesa në implementi. Vija buxhetore për cçështjet sociale është më e madhe se investimet kapitale.“, tha Beqiri.

Duke u ndalur tek ndikimi që ka imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare tek investitorët e huaj, ajo shtoi:

“Sa herë që ka pikëpyetje të tilla në plan ekonomik, sjell disa pasiguri. Këta pasiguri përkthehen në shtrëngim të investimeve dhe nga vetë sektori privat. Për këtë arsye mendojmë se qeveria duhet të jetë e para që duhet të ndryshojë trendin e investimeve në mënyrë që të përcillet edhe nga vetë sektori privat.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!