Jasir Asanit i ka përfunduar kontrata me Partizanin dhe është gati të nisë një aventurë të re. Sulmuesi anësor nuk pranoi rinovimin me “Demat”, por nuk i kursen fjalët e ngrohta në postimin e lamtumirës.
“Sot ka ardhur dita që t’ju them faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim. Ndarjet nuk më kanë pëlqyer kurrë, por futbolli është i tillë, me një fillim dhe një fund. Pas shumë ndeshjesh, suksesesh, dështimesh e sakrificash, erdhi dita që të them faleminderit për çdo emocion që më keni dhuruar.
Dua të falënderoj stafin teknik, të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar, të gjithë asistentët, stafin organizativ, magazinierët dhe kujdestarët e fushës e të topave. Ju ma keni bërë gjithçka më të lehtë në aventurën time te Partizani.
Shpirti i Partizanit, tifozeria e kuqe do të jetë gjithmonë një kujtim i bukur për mua dhe do të kenë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time. Më keni mbështetur nga dita e parë që erdha dhe sot dua t’iu them faleminderit për gjithçka. Faleminderit Partizan“, shkruan Asani.
26-vjeçari nga Shkupi theksoi pak ditë më parë se ka disa oferta në tavolinë. Ai shprehet se ka refuzuar tre oferta nga Liga e Parë në Turqi dhe e pret një klub në Hungari (Kisvarda)./abcnews.al