Një teknikë e re premtuese që sipas ekspertëve përshpejton procesin e zhvillimit po përdoret për prodhimin e dy vaksinave kundër COVID-19 të cilat mund të jenë gati deri në nëntor. Këto vaksina do të jenë dhe testi i parë që do të përcaktojnë nëse vaksinat e bazuara në kodin gjenetik, në vend të mikrobeve, mund të jenë të sigurta dhe efektive.
Një nga vaksinat po zhvillohet nga kompania amerikane Moderna. Tjetra do të jetë produkt i bashkëpunimit mes prodhuesit gjerman të ilaçeve “BioNTech” dhe kompanisë amerikane Pfizer. Përbërësi aktiv në secilën prej vaksinave të reja është një pjesë e kodit gjenetik quajtur mRNA. Ai udhëzon trupin të prodhojë një pjesë të vogël të virusit duke mos shkaktuar sëmundje, por e bën më të lehtë për sistemin imunitar që të luftojë virusin e vërtetë.
Prodhimi i vaksinës në sasi e mjaftueshme deri në qindra miliona doza zakonisht kërkon sisteme të mëdha të specializuara të prodhimit biologjik. Vaksinat e mRNA-së janë më të shpejta për t’u zhvilluar pjesërisht sepse ato nuk mbështeten tek këto sisteme komplekse.
Këto do të jenë vaksinat e para të bazuara tek kodi gjenetik të zhvilluara për t’u përdorur tek njerëzit. Aktualisht vaksina të tilla janë në treg për përdorim tek kafshët./so.ba/abcnews.al