Evropë, një hap prapa pas protestave

schedule08:24 - 27 Maj, 2024

schedule 08:24 - 27 Maj, 2024

Protestat e fermerëve u zhvilluan jo vetëm në Gjermani, por në pjesën më të madhe të Evropës. Reagimi i BE ndaj kësaj situate tani është temë e fushatës zgjedhore.

Në fillim të vitit, zhurma e traktorëve dhe vajtimi i sirenave shoqëruan rregullisht takimet e liderëve politikë evropianë në Bruksel: makinat bujqësore bllokonin rrugët, gomat dhe mullarët e barit u përfshinë nga flakët.

Protestat e fermerëve u zhvilluan jo vetëm në Gjermani. Në disa shtete anëtare, fermerët janë mobilizuar kundër rënies së çmimeve, importeve bujqësore nga Ukraina ose heqjes së subvencioneve. Kjo pati efektin e vet: BE lehtësoi rregullat e politikës së përbashkët bujqësore që supozohej të mbronte klimën dhe habitatet.

Thjeshtim apo problem strukturor?

Sipas mendimit të kristiandemokratëve evropianë, Brukseli po i vendos kështu kufizime burokracisë së tejmbushur. Ata flasin për një thjeshtësim, i cili megjithatë nuk përbën dobësim të rregullave mjedisore. Kështu, BE po lehtëson kërkesat minimale që fermat duhet të plotësojnë për të marrë subvencione. Në këtë kuadër, fermerët mbeten të përjashtuar nga detyrimi për të lënë disa fusha djerrë për mbrojtjen e specieve.

Shtetet anëtare kanë më shumë hapësirë për të zbatuar rregullat për mbulimin e tokës dhe rotacionin e të korrave. Këto në fakt synonin të garantonin që shfrytëzimi bujqësor të mos e varfëronte shumë tokën. Fermat e vogla tani nuk duhet të presin më kontrolle dhe sanksione.

Sipas të Gjelbërve, problemi nuk janë kërkesat e larta mjedisore, por të ardhurat e ulëta që fermerët marrin për produktet e tyre. Industria ushqimore dhe shitja me pakicë qenë në gjendje t’ua diktojnë çmimet fermerëve. Të Gjelbrit e bëjnë politikën e përbashkët bujqësore të BE bashkëpërgjegjëse për këtë situatë dhe vënë në dyshim strukturat e saj.

Shumë para në sistem

BE shpenzon një të tretën e buxhetit që ka në bujqësi, kryesisht për të mbështetur fermerët. Me 55 miliardë euro në vit, është një nga zërat individualë më të rëndësishëm në buxhet. Në Gjermani, subvencionet përfaqësojnë rreth gjysmën e të ardhurave të fermerëve.

Linjat kryesore të politikës së përbashkët bujqësore përcaktohen nga BE për një periudhë shtatëvjeçare. Për periudhën aktuale, e cila zgjat deri në vitin 2027, ndihma ndahet gjithashtu kryesisht në bazë të sipërfaqes: fermat e mëdha marrin më shumë.

Një pjesë e pagesave direkte është e rezervuar për bujqësinë organike. Fermat marrin fondet përkatëse nëse zhvillojnë zona me shumëllojshmëri bimore e të mbrojtura ose kur heqin dorë nga substancat për mbrojtjen e bimëve.

Nuk ka më probleme

Me afrimin e zgjedhjeve evropiane, Brukseli dhe kryeqytetet nuk duan të kenë më shumë me një grup profesionistësh, të vogël në numër por të potershëm. Copa-Cogeca, Shoqata Evropiane e Fermerëve, konsiderohet një grup lobues me ndikim me marrëdhënie të mira me Komisionin Evropian.

Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, u premtoi fermerëve në fund të verës së kaluar më shumë dialog dhe më pak polarizim. Në shkurt, ajo tërhoqi propozimin e saj për të përgjysmuar përdorimin e helmeve bujqësore deri në vitin 2030, në mënyrë që të ndalojë zhdukjen e specieve.

Në pranverë, BE tërhoqi pjesërisht lehtësirat e dhëna për eksportet bujqësore të Ukrainës. Për disa produkte të caktuara mbi një sasi të caktuar importi aplikohen sërish detyrime doganore, sepse fermerët e BE u ankuan për rënie të çmimeve.

Braktisje e “Marrëveshjes së Gjelbër”

Për të ecur përpara, janë të nevojshme diskutime dhe një qasje tjetër, thotë von der Leyen. Kështu ajo afrohet më shumë me grupin kristjandemokrat të PPE-së, kandidate kryesore e listës së të cilit është. Në të vërtetë, Partia Popullore Evropiane është distancuar prej muajsh nga ligjet e diskutueshme mjedisore, megjithëse ato janë pjesë e “Marrëveshjes së Gjelbër” – planit të von der Leyen-it për të transformuar Evropën në një mënyrë të qëndrueshme.

Pas këtij qëndrimi fshihet frika se populistët e djathtë do të përfitojnë nga zemërimi i fermerëve gjatë zgjedhjeve evropiane. Kreu i grupit parlamentar të PPE, Manfred Weber e konsideron PPE parti të fermerëve dhe përfaqësuese të zonave rurale në Evropë.

Situata e përgjithshme politike ka ndryshuar në Evropë: dhe kështu Presidentja e Komisionit dhe kandidatja kryesore e PPE po largohet nga “Marrëveshja e Gjelbër” dhe po merr më shumë parasysh ekonominë, shpjegon Nicolai von Ondarza, ekspert evropian nga Fondacioni i Shkencës dhe Politikës.

Kjo mund të kritikohet përsa i përket politikës klimatike. Por kjo tregon se BE-ja po bëhet më e ndjeshme nga ana demokratike, pasi reagon ndaj protestave të një grupi të caktuar popullsie. Sido që të jetë, votuesit kanë alternativa të qarta në lidhje me politikën bujqësore në zgjedhjet evropiane.

/DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!