Në vitin 2024, do të ketë më shumë persona mbi 65 vjeç sesa nën 15 vjeç në Evropë, paralajmëroi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke bërë thirrje për masa më të mira për të ndihmuar njerëzit të plaken në mënyrë të shëndetshme.
“Deri në vitin 2024, ne vlerësojmë se popullsia e njerëzve mbi 65 vjeç do të jetë më e madhe se ajo e nën 15 vjeç në Rajonin Evropian të OBSH-së,” tha Organizata Botërore e Shëndetësisë në një deklaratë.
Në shkallë globale, kjo pritet të ndodhë 60 vjet më vonë, rreth vitit 2064, sipas parashikimeve të institutit “Our World in Data”.
“Ky trend është sinonim i sfidave të reja sociale, ekonomike dhe shëndetësore”, tha dega evropiane e organizatës shëndetësore, e cila përfshin 53 vende, disa prej të cilave ndodhen në Azinë Qendrore.
Në të gjithë Kontinentin e Vjetër, rritja e jetëgjatësisë është shpesh sinonim i shëndetit të dështuar.
Për të zbutur ndikimin e një popullsie në plakje, Organizata Botërore e Shëndetësisë u bën thirrje autoriteteve të marrin masa për “të mundësuar të moshuarve të ruajnë dhe përmirësojnë shëndetin e tyre fizik dhe mendor, pavarësinë, mirëqenien sociale dhe cilësinë e jetës” .
Ndër rekomandimet që bën, Organizata Botërore preferon një dietë të ekuilibruar dhe ushtrime fizike për të paktën 150 minuta në javë.
“Një aktivitet fizik edhe më intensiv mund të zvogëlojë rrezikun e vdekjes nga çdo shkak me 35%”, theksoi Organizata Botërore e Shëndetësisë.