Ndërsa Evropa është përfshirë nga vala e dytë e koronavirusit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u ka bërë thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes maksimal për t’u përballur me këtë pandemi.
Me anë të një postimi në Facebook, Hoti shprehet se në “Kosovë, shifrat e të prekurve nga dje janë bërë dyshifrore, ndërkaq numri i të prekurve brenda 24 orëve është dyfish më i lartë se numri i të shëruarve”.
Për këtë arsye, shton kreu i qeverisë, duhet treguar kujdes maksimal “në punë, në shkollë, në biznes, në rrugë dhe në çdo aktivitet ku ka grumbullim të njerëzve.”
Postimi i plotë i Hotit:
“Kujdes maksimal për ta përballuar valën e dytë të covid-19
Evropa tanimë është përfshirë nga vala e dytë e pandemisë nga covid-19. Në Kosovë, shifrat e të prekurve nga dje janë bërë dyshifrore, ndërkaq numri i të prekurve brenda 24 orëve është dyfish më i lartë se numri i të shëruarve.
Institucionet tona po bëjnë të gjitha veprimet e nevojshme, por na duhet kujdes maksimal dhe solidaritet i plotë për të evituar mbylljen totale:
1. SHSKUK ka planin për aktivizim të shtretërve shtesë në Prishtinë dhe në spitale regjionale, si dhe është bërë plani për ri-shpërndarjen e stafit mjekësor sipas nevojës.
2. Janë rritur kapacitetet testuese, duke mundësuar që pothuajse të gjithë ata që kanë nevojë për testim të testohen brenda ditës, dhe testimi së shpejti do të decentralizohet në regjione.
3. IKSHPK ka ngritur struktura rajonale të inteligjencës për të identifikuar vatrat infektive.
4. Në shkolla ka kontroll të shtuar.
5. Po rishikohen lista e vendeve me rrezik për të ndaluar udhëtimin nga ato vende, gjithmonë duke u bazuar në protokollet përkatëse. s.b/abcnews.al/