Europa në luftë, BE duhet të realizojë bashkimin politik të saj

schedule12:32 - 4 Tetor, 2022

schedule 12:32 - 4 Tetor, 2022

Nga Joschka Fischer “Project Syndicate

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Lufta e Vladimir Putinit kundër Ukrainës, është një përpjekje për ta rikthyer kohën pas në një kohë kur Rusia ishte një superfuqi që e dominonte Evropën Lindore. Por përmes asaj

që përbën në fakt një përpjekje për të ndryshuar rezultatin e Luftës së Ftohtë, Putin i ka mbivlerësuar më tepër sesa duhet aftësitë e tij.

Realitetet në fushën e betejës në Ukrainë, kanë zbuluar se një luftë e motivuar nga nostalgjia për sundimin carist ka qenë një llogaritje e gabuar deri në kufijtë e qesharakes. Ndërsa ende nuk e dimë ende se si do të përfundojë lufta apo sa viktima do të shkaktohen (nga të dyja palët), tashmë është e qartë se Putini nuk mund të fitojë më.

As në fushën e betejës, dhe veçanërisht as edhe në skenën botërore. Përmes kërcënimeve të tij të fundit për të përdorur armë bërthamore dhe mobilizimit të rreth 300.000 rezervistëve, ai ka ekspozuar pa dashje dobësinë e tij, dhe gjendjen e tmerrshme ku e kanë futur përparimet e ushtrisë ukrainase në fushën e betejës.

Tani ai duket se s’ka zgjidhje tjetër veçse ta kthejë betejën në një “luftë” të plotë, duke përfituar nga të gjitha burimet strategjike të Rusisë, përfshirë arsenalin e saj bërthamor. Nëse Putini duhet të shkelë vërtet tabunë bërthamore, e cila ka qenë në fuqi që nga viti 1945, ai

do ta shndërrojë Rusinë në një shtet të përbuzur, duke sjellë izolimin e saj gati të plotë ndërkombëtar.

India dhe Kina nuk do ta ndjekin Putinin në atë rrugë, dhe as Shtetet e Bashkuara dhe as NATO nuk do të tolerojnë një formë të tillë të rrezikshme të përshkallëzimit të këtij konflikti. Siç e kanë sinjalizuar tashmë, ata do të reagojnë ushtarakisht në një mënyrë të mirë-llogaritur por jo bërthamore për t`u siguruar që Rusia të përballet me “pasoja katastrofike”.

Për Putinin, një sulm bërthamor do të ishte një hap tjetër drejt humbjes. Por çfarë do të thotë kjo për Evropën? Meqë Rusia dhe Bashkimi Evropian do të mbeten fqinjë, pavarësisht se çfarë do të ndodhë, evropianët do të duhet që ta shohin Rusinë si një kërcënim ekzistencial. Papritmas ne do të riktheheshim në ngërçin ushtarak që mendonim se e kishim kapërcyer në fund të Luftës së Ftohtë. Në kushtet kur Rusia po zhvillon një luftë për ta fshirë nga harta Ukrainën, duhet të braktiset shpresa për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.

Pra Lufta e Ftohtë është rikthyer, dhe shantazhi bërthamor i Putinit nënkupton se ajo mund të bëhet “e nxehtë”, madje edhe radioaktive. Evropa duhet që të pajtohet me këtë realitet dhe të zbatojë ndryshimet afatgjata që kërkon përshtatja me të. Siç janë punët aktualisht, BE-ja është larg të qenit një fuqi e madhe.

Ndërsa merret seriozisht në aspektin ekonomik dhe teknologjik, ajo ka shumë më pak peshë në aspektin real gjeopolitik, kryesisht për shkak të ndarjeve dhe konflikteve të brendshme. Katastrofa e Luftës së Dytë Botërore, shënoi fillimin e një procesi të bashkimit evropian, i cili kulmoi me krijimin e BE-së, me lirinë e lëvizjes, dhe me monedhën dhe tregun e përbashkët.

Por integrimi më i thellë politik nuk është dukur kurrë i mundshëm. Ndërsa realiteti i Luftës së Dytë të Ftohtë po fillon që të ndihet, kjo qasje duhet të ndryshojë. Integrimi politik është pikërisht ajo që duhet të arrijë Evropa në rast se nuk dëshiron që të jetojë nën kërcënimin e vazhdueshëm dobësues të sulmit ushtarak dhe shantazhit bërthamor.

Me garancitë e saj të sigurisë, NATO do të mbetet e fortë vetëm nëse evropianët do të munden ta forcojnë anën e tyre të “urës” transatlantike. Dhe ata mund të japin kontribute më të mëdha për mbrojtjen dhe parandalimin e përbashkët, vetëm duke u bashkuar politikisht.

Natyrisht, lufta e Putinit në Ukrainë ka nënvizuar se sa e rëndësishme është SHBA-ja për aftësitë mbrojtëse të Evropës.

Por presidenca e Donald Trump ngriti pikëpyetje serioze në lidhje me besueshmërinë afatgjatë të angazhimeve të SHBA-së në kontinentin e vjetër. Presidenti Joe Biden e përqafon plotësisht parimin e solidaritetit transatlantik dhe qëndron në mbështetje të NATO-s. Por a do ta bëjë këtë pasardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë?

Ndërkaq, kërcënimi i ri në kufirin lindor të Evropës do ta zhvendosë qendrën e gravitetit të BE-së drejt lindjes, duke iu dhënë vendeve anëtare të këtij rajoni një rol më të madh në gjirin e unionit.

Përveçse është një komunitet ligjor dhe një treg i përbashkët, BE-ja duhet të bëhet edhe një komunitet sigurie, megjithëse në ndërthurje të ngushtë me NATO-n. Ky proces ka filluar tashmë me ofertën e Finlandës dhe Suedisë për t’iu bashkuar aleancës.

Tani për tani, detyra më emergjente është të shmanget kërcënimi akut i një lufte, që del jashtë kontrollit dhe që përhapet në Evropë. Por në një periudhë më afatgjatë, evropianët duhet të kryejnë ndryshimet institucionale të nevojshme për të krijuar një kuadër efektiv sigurie.

A e dinte Putin se çfarë po bënte kur dha urdhrin për të pushtuar Ukrainën? Ndoshta këtë nuk do ta dimë asnjëherë me siguri. Por tani që ai ka shkatërruar shpresën për paqe, evropianët do të duhet t’i përshtaten rrethanave të reja. Sërish liria, demokracia dhe siguria në kontinent nuk mund të merren si të mirëqena.

Shënim:Joschka Fischer, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe zëvendës/kancelar në vitet 1998-2005. Ka qenë udhëheqës i Partisë së Gjelbër për gati 20 vjet.