TIRANË- Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka publikuar pamje nga operacionet e fundit të Policisë së Shtetit, e cila vijon kontrollet në rrugët e Tiranës për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Sipas tij, në fokus të kontrolleve kanë qenë mjetet luksoze me xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin, armët pa leje, lëndët narkotike, si edhe drejtuesit e automjeteve që rrezikojnë jetën e qytetarëve me shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit.
Ministri ka përgëzuar Forcën e Posaçme Operacionale, skuadrën “Shqiponja” dhe Policinë Rrugore për punën e kryer.
“Siguria e qytetarëve e para! Mjete luksoze, xhama të errësuar në kundërshtim me ligjin, armë pa leje, lëndë narkotike apo drejtues që rrezikojnë jetën e qytetarëve, janë në shënjestër nga Policia e Shtetit. Përgëzime Forcës së Posaçme Operacionale, skuadrës “Shqiponja” dhe Policisë Rrugore për operacionet e ditëve të fundit në disa zona të Tiranës“, shkruan ministri në “Facebook”.


