Europa akuzon SHBA-në se po “pasurohet” në kurriz të Ukrainës

schedule11:35 - 25 Nëntor, 2022

schedule 11:35 - 25 Nëntor, 2022

Nga Barbara Moens, Jakob Hanke Vela dhe Jacopo Barigazii, Politico.eu

Nëntë muaj pas pushtimit të Ukrainës, Vladimir Putin ka filluar të përçajë Perëndimin. Zyrtarët e lartë europianë janë të zemëruar me administratën e Joe Biden. Ata po  akuzojnë amerikanët se janë pasuruar nga lufta, ndërsa vendet e BE-së po vuajnë.

“Vendi që po përfiton më shumë nga kjo luftë janë SHBA-të sepse po shesin më shumë gaz dhe armë me çmime më të larta”, tha një zyrtar i lartë për POLITICO.

Komentet e shumta– të mbështetura publikisht dhe privatisht nga zyrtarë, diplomatë dhe ministra gjetkë pasojnë zemërimin në rritje në Europë mbi subvencionet amerikane që kërcënojnë të shkatërrojnë industrinë europiane. Kremlini ka të ngjarë të mirëpresë atmosferën helmuese midis aleatëve perëndimorë.

“Ne jemi me të vërtetë në një moment historik,” tha zyrtari i lartë i BE-së, duke argumentuar se goditja e dyfishtë e ndërprerjes së tregtisë nga subvencionet e SHBA-së dhe çmimet e larta të energjisë rrezikojnë të kthejnë publikun kundër përpjekjeve të luftës dhe aleancës transatlantike.

“Amerika duhet të kuptojë se opinioni publik po ndryshon në shumë vende të BE-së.”

Kryediplomati i BE-së Josep Borrell i bëri thirrje Uashingtonit që t’i përgjigjet shqetësimeve europiane. “Amerikanët, miqtë tanë marrin vendime që kanë një ndikim ekonomik tek ne”, tha ai në një intervistë për POLITICO.

Pika më e madhe e tensionit gjatë javëve të fundit kanë qenë subvencionet dhe taksat e gjelbra të Bidenit, për të cilat Brukseli thotë se kërcënojnë të shkatërrojnë industritë europiane, raporton abcnews.al.

Pavarësisht kundërshtimeve formale nga Europa, Uashingtoni deri më tani nuk ka treguar asnjë shenjë tërheqjeje. Në të njëjtën kohë, përçarja e shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Putini po zhyt ekonomitë europiane në recesion, me inflacionin në rritje dhe ashpërsimin në furnizimet me energji që kërcënojnë ndërprerjet gjatë dimrit.

Ndërsa përpiqen të reduktojnë varësinë e tyre nga energjia ruse, vendet e BE-së po marrin gaz SHBA-ja – por çmimi që paguajnë europianët është pothuajse katër herë më i lartë se kostot e njëjta të karburantit në Amerikë.

Pastaj ka një rritje të mundshme të porosive për pajisje ushtarake të prodhuara nga Amerika, pasi ushtritë europiane nuk kanë arritur të dërgojnë armë në Ukrainë.

Gjithçka është e tepërt për zyrtarët e lartë në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera të BE-së. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se çmimet e larta të gazit në SHBA nuk tregonin një anë miqësore  dhe ministri gjerman i ekonomisë i ka bërë thirrje Uashingtonit të tregojë më shumë “solidaritet” dhe të ndihmojë në uljen e kostove të energjisë, raporton abcnews.al.

Ministrat dhe diplomatët në bllok shprehën zhgënjimin për mënyrën se si qeveria e Biden thjesht po injoron ndikimin e politikave të saj ekonomike të brendshme tek aleatët europianë.

“Europianët janë dukshëm të frustruar për mungesën e informacionit dhe konsultimit paraprak,” tha David Kleimann nga grupi i ekspertëve Bruegel.

Mosmarrëveshja në rritje mbi Aktin e Reduktimit të Inflacionit (IRA) të Bidenit – një paketë e madhe taksash, klimatike dhe kujdesi shëndetësor  ka rritur sërish frikën për një luftë tregtare transatlantike.

Ministrat e tregtisë së BE-së do të diskutojnë përgjigjen e tyre të premten, ndërsa zyrtarët në Bruksel po hartojnë plane për një luftë emergjente të subvencioneve për të shpëtuar industritë europiane nga kolapsi.

Aleat apo jo?

Pavarësisht mosmarrëveshjeve energjetike, vetëm kur Uashingtoni njoftoi një skemë subvencionimi prej 369 miliardë dollarësh për të mbështetur industritë e gjelbra sipas  Aktit të Reduktimit të Inflacionit, Brukseli kaloi në gjendje të plotë paniku.

“Akti i Reduktimit të Inflacionit ka ndryshuar gjithçka,” tha një diplomat i BE. “A është Uashingtoni ende aleati ynë apo jo?”

Për Biden, legjislacioni është një arritje historike klimatike. Por BE-ja e sheh këtë ndryshe. Ministri francez i Ekonomisë Bruno Le Maire këtë javë madje akuzoi SHBA-në se po ndjek rrugën e Kinës të izolimit ekonomik, duke i kërkuar Brukselit të përsërisë një qasje të tillë: “Europa nuk duhet të jetë e fundit e mohikanëve,” tha ai.

SHBA ka qenë deri tani ofruesi më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke furnizuar më shumë se 15.2 miliardë dollarë armë dhe pajisje që nga fillimi i luftës. BE-ja ka ofruar deri më tani rreth 8 miliardë euro pajisje ushtarake për Ukrainën, sipas Borrell, raporton abcnews.al.

Sipas një zyrtari të lartë nga një kryeqytet europian, rimbushja e stoqeve për disa armë të sofistikuara mund të marrë “vite” për shkak të problemeve në zinxhirin e furnizimit dhe prodhimin e çipave.

Kjo ka nxitur frikën se industria amerikane e mbrojtjes mund të përfitojë edhe më shumë nga lufta.

Pentagoni tashmë po zhvillon një udhërrëfyes për të përshpejtuar shitjet e armëve, ndërsa presioni nga aleatët për t’iu përgjigjur kërkesave më të mëdha për armë dhe pajisje po rritet. 

Një tjetër diplomat i BE-së tha se një zbritje në çmimet e gazit mund të na ndihmojë të mbajmë të bashkuar publikun dhe të negociojmë me vendet e treta për furnizimin me gaz.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!