Parlamenti Europian ka debatuar mbrëmë mbi çështjen e zgjerimit dhe vendimin e Këshillit Europian për të mos hapur negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Përtej rezervave për secilin vend, çka i bashkonte në fjalime ishte qëndrimi se BE kishte bërë një gabim historik duke cenuar besueshmërinë e vet.
Shumica dërrmuese e eurodeputetëve konsiderojnë se mos marrja e vendimit nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një gabim historik, humbje besueshmërie tek BE dhe një zhgënjim total. Eurodeputetët kanë kritikuar Francën, Holandën dhe Danimarkën për qëndrimin e tyre në prezencë të kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferri.
Kati Piri, eurodeputete :
“Bashkimi Europian kishte mundësinë që të tregonte përgjegjësi dhe pjekuri politike, por ne dështuam mjerisht. Dhe ky dështim dëmton imazhin e Bashkimit Europian në rajonin e Ballkanit”
Reinhard Buticofer, eurodeputet:
“ Është një gabim historik dhe kaq zhgënjyese për qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. President Macron, ju jeni shumë i izoluar në qëndrimin tuaj, por Parlamenti Europian do të ndërtojë një urë me ju. Nëse lexoni rezolutën tonë me vëmendje, ne shprehemi tê gatshëm për tê reformuar procesin e negociatave të anëtarësimit dhe duam tê punojmë së bashku për këtë. Por ju lutem, president Macron, korrigjoni gabimin që bëtë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”
Toni Picula, eurodeputet:
“Është e habitshme se si Bashkimi Europian dështon të njohë sakrificat e Maqedonisë së Veriut që ka kapërcyer pengesa të mëdha si çështja e emrit, ashtu dhe përpjekjet që janë bërë për reformimin e gjyqësorit në Tiranë. Ne na duhet një vizion i qartê në rajon, para se tê jetë tepër vonê dhe aktorët e tjerë të shpërndajnë influencën e tyre”.
Massimo Castaldo, eurodeputet:
“Ne i premtuam këtyre vendeve që do të vlerësoheshin individualisht bazuar në meritë. Mosrespektimi i premtimeve të bëra zhyt në zhgënjim një rajon të tërë, krijon një precedent shqetësues dhe i hap portat partnerëve tê tjerë strategjikë. Ndërkohë që Erdogani viziton Serbinë dhe forcon lidhjet me Beogradin, Maqedonia e Veriut futet nê një tjetër krizë politike. Miqve tanë shqiptarê dhe tê Maqedonisë së Veriut dhe përfitoj nga rasti të pêrshëndes edhe zotin Xhaferri prezent këtu, ju themi kurajë, se ju jeni pjesë e procesi historik që s’mund të ndalet nga Këshilli i ministrave”.
Por kishte eurodeputetë që nuk i kursyen kritikat për të dy vendet e kryesisht për Shqipërinë:
Lars Patrick Berg, eurodeputet:
“ Të dyja vendet kanë institucione të brishta, probleme me shtetin e të drejtës dhe respektimin e standardeve. Në anketimin e fundit të Gallup, 60% e popullsisë duan të ikin nga Shqipëria dhe kjo përbën shqetësim të madh për ne për të gjitha çështjet që ngërthen”.
Laura Huhtassari, eurodeputete:
“ Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë probleme me krimin, korrupsionin dhe shtetin ligjor. Bashkimi Europian ka patur shumë telashe me monitorimin e Rumanisë dhe Bullgarisë, që nuk ishin gati për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian në 2007. Ne nuk duhet t’u japim shpresa tê kota vendeve, që nuk plotësojnë kushtet për hapjen e negociatave.
Jordan Bardella, eurodeputet:
“Po pse të integrojmë një vend si Shqipëria, kur ai është i integruar praktikisht në BE ? Në fakt, shqiptarët janë prezent në Francë dhe përfitojnë nga tregu evropian. Klandestinët dhe organizatat kriminale qarkullojnë lirisht dhe dërgojnë në vendin e tyre para falë trafiqeve të të gjitha llojeve që bëjnë në vendin tonë. Nëse ne tolerojmë këtë, kjo vetëm do të forconte një situatë anarkike me të cilën përballen autoritete franceze”.
Gille Lebreton, eurodeputet:
“ Shqipëria ka një reputacion publik të një vendi me një korrupsion endemik që asfikson vetë popullin e saj. Një në tre të rinj janë pa punë sipas shifrave të Bankës Botërore. Është e vërtetë që po bëhet një reformë e drejtësisë, por rezultatet janë shumë shqetësues. Komisioni i Vertingut ka eliminuar gjykatës të korruptuar. Rezultati: Nga 17 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, mbeten vetëm dy dhe nga 9 të Gjykatës Kushtetuese mbetet vetëm një. Këto shifra tregojnë se në ç’nivel është korrupsioni në këtë vend.
Rezoluta e Parlamentit Europian që votohet ditën e sotme i bën thirrje Këshillit të Ministrave të marrin një vendim sa më të shpejtë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me dy vendet dhe shprehet i gatshëm për ndryshimin e metodologjisë së procesit tê zgjerimit.