Eurodeputetët: Bojkoti i opozitës cënon besueshmërinë e Shqipërisë

schedule15:23 - 28 Shkurt, 2019

schedule 15:23 - 28 Shkurt, 2019

 Delegacioni i deputetëve të Parlamentit Europian u shfaq i unifikuar në qëndrimin se largimi i opozitës nga Kuvendi nuk zgjidh problematikat në vend. Pas takimeve me aktorët politikë në mazhorancë e opozitë, nuk munguan gjatë konferencës për shtyp shigjetimet e forta për opozitën, por edhe thirrjet për dialog, për të mos ndikuar vendimin e BE për hapjen e negociatave.

 Në përfundim të vizitës zyrtare dy ditore në Tiranë delegacioni i Parlamentit Europian i kryesuar nga Tunne Kelam, në konferencën për media të parashikuar në agjendë, zbardhi qëndrimin mbi situatën politike në vend.

Nuk habitën me deklaratat për pritshmërinë për zhvillim të jetës politike brenda institucioneve të vendit.

Kelam: “Bojkoti nga përfaqësuesit e zgjedhur, cenon besueshmërinë e shtetit”.

Preda: “Ftoj Kryeministrin të diskutojë me opozitën, do ishte sukses nëse ndodh përpara Qershorit”.

Fleckenstein: “Asgjë nuk ka ndryshuar nga dy vjet më parë, është çështje parimore. Edhe sikur opozita të ketë tërësisht të drejtë me akuzat e saj, bojkotimi i kuvendit nuk do të zgjidhë problemin në vend”.

Edhe pse bie dakord me opozitën se është demokracia funksionale dhe jo parlamenti funksional kriteri politik përcaktues, kryedelegati i Parlamentit Europian, Kelam denoncimet mediatike nga brenda dhe jashtë kufijve për vjedhjen e votës në zgjedhjet e fundit parlamentare i quan raste të izoluara.

Kelam: “Parlamenti është zgjedhur në rrugë të ligjshme, ju keni një qeveri legjitime. Rastet e izoluara të blerjes së votës nuk kanë ndikim në panoramën e përgjithshme, përveçse kur vendos gjykata”.

Por edhe një vit pasi Gjykata Kushtetuese de facto nuk ekziston dhe ajo e lartë është kthyer në depo dosjesh të lëna pezull, eurodeputetët nuk preferojnë termin krizë.

Fleckenstein: “Termi krizë kushtetuese është i përdorur jo në vendin e duhur. Reforma në gjyqësor është e ndryshme”.

Ajo që ra në sy ishte shprehja përmes emocioneve. Mes zhgënjimit dhe mërzisë delegacioni dha një pikturë të qartë të asaj që besojnë se po kalon Shqipëria.

Preda: “Zgjedhjet në 2017 shkuan mirë, s’di çdo të thotë që nuk vajtën mirë. Ne ishim vëzhgues, nuk mund të themi aps një viti që nuk vajtën mirë,  është çudi ta dëgjoj tani dhe më mërzit”.

Fleçkenstein: Asgjë nuk ka ndryshuar. Ndryshimi i vetëm është që sot nuk marrin rrogën deputetët që bojkotojnë. U zhgënjeva nga Kryemadhi”.

Kelam: “I bëjmë thirrje partive politike dhe shoqërisë civile të ushtrojnë trysni dhe presion në mënyrë që ata të bashkohen me njëri tjetrin sepse nuk mund të gjesh pretendim për të vonuar objektivin kombëtar për shkak të ndasive partiak”.  

Rojtarët e stabilitetit, pa përgjegjësi, propozimin e opozitës për një qeveri teknike që do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme e shohin se shkon përkundër rrugës evropiane të vendit.

 Kelam: “Përqendrimi tek qeveria kalimtare do të hiqte përqendrimin nga integrimi”.

Pasi vlerësuan se protestat e thirrura nga opozita nuk duhet të zëvendësojnë debatin parlamentar dhe aq më pak të jenë të dhunshme, erdhi artikulimi i një thuajse-kërcënimi.

Fleckenstein: “Nëse deri në Qershor ne shohim pamje dhune nga rrugët e Tiranës, kjo në vetvete do të ketë pasoja për diskutimet që do të organizohen për takimin e Këshillit”.

Në fund, një shkak për destabilitet njëri prej tyre e identifikoi edhe tek lëvizjet e qeverisë.

Preda: “Ju keni patur protestat e studentëve, masive dhe është e papranueshme tu bëhet presion, i bëj thirrje autoriteteve, janë hequr njerëz nga puna, kjo shkakton destabilitet”.

Për eurodeputetët progresi i bërë nga Shqipëria sa i përket reformës në drejtësi dhe vettingut edhe pse duhet të tregojë rezultate të prekshme në vijim, është ajo që i duhet këshillit për marrjen e një vendimi pozitiv në qershor, sa i përket hapjes apo jot ë negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!