Abas Tafa, ish-kandidat për deputet në siglën e Koalicionit EuroAtlantik të drejtuar nga Lulzim Basha është arrestuar nga policia pasi falsifikonte diploma dhe licenca profesionale.
51-vjeçari Abas Tafa dikur mësues dhe drejtor shkolle në Zall Bastar dhe në Allias kishte lënë këtë profesion dhe kishte përshtatur një ambient si laborator për falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve të ndryshme, programeve master si dhe licencave profesionale.
Ambienti u gjet nga forcat e policisë në banesën e 51-vjeçarit në Zall-Bastar ku Tafa prej kohësh ushtronte këtë aktivitet të paligjshëm. Çmimi i diplomave të falsifikuara arrinte nga 600 euro deri në 5000 euro.
Tafa para grupit hetimor nuk ka dhënë detaje për skemën e ngritur prej tij apo për bashkëpunëtorët, por sipas informacioneve nga policia ka qenë një hetim disa mujor që ka çuar në zbulimin e këtij të fundit. Gjatë hetimeve të kryera nga uniformat blu Tafa është denoncuar edhe nga një shtetas që kishte blerë dokumentin e falsifikuar prej 51-vjeçarit.
Policia ka identifikuar edhe 3 perona të tjerë që dyshohen se bashkëpunonin me Abas Tafën në falsifikimin e diplomave dhe licencave. Pritet që Tafa të ballafaqohet me provat e mbledhura nga policia dhe të merret sërish në pyetje nga grupi hetimor.
Policia ka sekuestruar qindra dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme, që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.


