Euro në revansh ndaj lekut/ Vakaj: Ndikim, kërkesa e lartë e bizneseve. Nuk mund të flasim për rritje të jashtëzakonshme

schedule14:19 - 30 Janar, 2025

schedule 14:19 - 30 Janar, 2025

Euro ka fituar revansh ditët e fundit, duke prekur nivelin e 100 lekëve. Drejtori i Shoqatës së Zyrave të Këmbimit Valutor, Dritan Vakaj shpjegoi në një intervistë për “Money Report” me gazetaren Genta Dobra, se një ndër faktorët që ka ndikuar është rritja e kërkesës nga bizneset për euron.

Megjithatë, siç shtoi ai, nuk mund të flitet për një rritje të ndjeshme.

“Ajo që kemi vënë re ditët e fundit ka qenë rritje e kërkesave të bizneseve për euro, e cila nga feedback që kemi lidhet dhe me pagesat e kryera nga thesaret e shtetit. Rritja ishte më e shpejtë seç pritej, por janari ka qenë gjithmonë i shoqëruar me një rritje të lehtë të kursit të këmbimit në ndryshim nga dhjetori. Është edhe efekti i turizmit që nuk është muaji i preferuar janari dhe ndikon edhe në ofertën e euros në treg. Sikundër edhe bashkëshoqërimi dhe rënia e lehtë e tregut imobiliar. Nuk mund të flasim për situatë të jashtëzakonshme që mund të ndikojë në rritje të jashtëzakonshme të euros. Motorët e fushatës janë ndezur dhe ka një lloj ndikimi në rritjen e shpenzimeve në lekë që e bën më optimist situatën me monedhat e huaja, por nuk ka të dhëna që sugjerojnë rritje të ndjeshme. Luhatjet janë rreth 100 lekëshit dhe ndryshimi në ditët e fundit ka ndodhur disa herë brenda ditës, e diktuar nga kërkesa dhe oferta në treg.”, u shpreh ai.

Ndërkohë i pyetur për ndikimin që mund të kenë politikat e Donald Trump, i cili ka premtuar se do ta bëjë dollarin amerikan monedhën më të fortë, Vakaj shtoi:

“Nuk është e pritshme që të kemi ndikim të ndjeshëm. Kemi marrëdhënie me vende që transaksionet kryhen me dollarë por në dominancë, eksportet dhe importet i kryejmë në euro”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!