Euro 2025 për vajza/ Shqipëria nis zyrtarisht grumbullimin, skuadra zhvillon seancën e parë stërvitore

schedule08:36 - 27 Maj, 2024

schedule 08:36 - 27 Maj, 2024

Kombëtarja shqiptare nisi zyrtarisht këtë të diel grumbullimin në prag të ndeshjes së parë ndaj Estonisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Zvicër 2025’.

Trajneri Armir Grima dhe stafi i tij teknik kanë punuar pasditen e sotme në fushën e Shtëpisë së Futbollit me 17 lojtare të cilat kanë mbërritur në grumbullim, teksa grupi pritet të jetë i plotë nesër. Skuadra punoi fillimisht në palestër për të kaluar më pas në fushën e lojës, ku stërvitja u fokusua më shumë në aspektin taktik dhe vendosjen në fushë.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije atmosfera në këtë seancë të parë zyrtare ishte mjaft pozitive dhe se i gjithë grupi është në formë të mirë dhe të gjitha lojtaret gëzojnë shëndet të plotë. Sa i përket mungesave, Alma Hilaj do të bashkohet sonte me ekipin, ndërsa Viona Rexhepi ditën e nesërme. Kristina Maksuti u la pushim nga trajneri për shkak se iu bashkua ekipit sot pas dreke.

Shqipëria e vajzave do të luajë në transfertën e Estonisë më 31 maj, në ora 17:00 (CET), ndërsa më 4 qershor do të presë Luksemburgun në stadiumin ‘Elbasan Arena’ në ora 18:00.

Të dyja ndeshje janë shumë të rëndësishme për objektivin e Kombëtares shqiptare, që synon kalimin në fazën play-off të kualifikueseve të Kampionatit Europian ‘Zvicër 2025’. Aktualisht, Kombëtarja shqiptare renditet në vendin e dytë në grup, me 3 pikë të grumbulluara, po aq sa Luksemburgu. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!