Euro 2020: Krimea në fanellat e Ukrainës, ironi dhe thumbime nga Rusia

schedule10:42 - 7 Qershor, 2021

schedule 10:42 - 7 Qershor, 2021

Fanella e kombëtares së Ukrainës për Euro 2020 është bërë shkak për një përplasje diplomatike me Rusinë. Ukraina është pjesë e grupit C në Euro 2020. Skuadra e drejtuar nga Andriy Shevchenko ka kundërshtarë si Holanda, Maqedonia e Veriut dhe Austria. Dueli i parë do të zhvillohet më 13 qershor kundër tulipanëve të De Boer.

Në Facebook, presidenti i federatës ukrainase të futbollit, Endri Pavelko, deklaroi se futbollistët do të kenë “fanella speciale” dhe publikoi fotografitë e uniformave verdhë e blu, si flamuri kombëtar, në të cilat është vizatuar harta e Ukrainës përfshirë dhe Krimenë, e aneksuar nga Rusia; por dhe rajonet e Donetsk dhe Lugansk të kontrolluara nga separatistët.

Fotografitë shoqëroheshin nga fjalët: Lavdi për Ukrainën! Lavdi për heronjtë tanë! Pevelko u shpreh se do të jetë pikërisht kjo hartë që do i japë forcë lojtarëve, të cilët do të luftojnë për të gjithë vendin.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse u tall me uniformat duke thënë se ishte sulmuar territori i Ukrainës dhe ai rus i Krimesë. Sipas saj, kjo fanellë mashtron shikimin dhe krijon iluzionin e të pamundurës.

Në fund ajo theksoi se organizatorët e Euro 2020 dhe tifozët duhet të dinë se motoja e zgjedhur nga ukrainasit është një moto naziste. Zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov, nuk ka dhënë asnjë koment për mediat, duke ia lënë çështjen në dorë ekzekutivit të UEFA-s. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!