Euractiv: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në pritje deri pas zgjedhjeve europiane

schedule13:03 - 27 Qershor, 2018

schedule 13:03 - 27 Qershor, 2018

Media europiane “Euractiv” shkruan se Franca dhe Holanda kanë lënë në pritje hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë deri pas zgjedhjeve të parlamentit europian. Ndërsa nënvizohet se dy vendet, veçanërisht Shqipëria duhet të bëjnë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Media e njohur e Brukselit, “Euractiv”, ka raportuar lidhur me ecurinë e procesit të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Duke renditur një sërë reagimesh, kjo media shkruan se dy vendet do të mbesin në pritje deri pas zhvillimit të zgjedhjeve europiane.

Fillimisht raporton njoftimin e presidencës bullgare të Unionit, në të cilin nënvizohet se është arritur një kompromis për hapjen e negociatave për në Qershor të vitit të ardhshëm. Por Shqipëria dhe Maqedonia deri në 2019-n duhet të tregojnë përmirësim të sundimit të ligjit dhe të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Ministri i Austrisë për BE-në, thotë se i ka kërkuar Komisionit Europian, krahut ekzekutiv të bllokut, që të përgatisë terrenin për hapjen e negociatave. Megjithatë vendos theksin tek përmbushja e disa kushteve.

“Në progres duhet të përfshihen rezultate të qëndrueshme në reformat e gjyqësorit, shërbimit të sigurisë, administratës publike dhe luftimi i korrupsionit”, janë disa nga kushtet e Austrisë, vend i cili merr drejtimin e presidencës së BE-së në Korrik.

Rezultati i papritur, pavarësisht mbështetjes së gjerë në BE, shfaqën përkushtimin e presidentit francez, Emmanuel Macron, për të shtyrë vendimin deri pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian në Maj të 2019-s, nga frika e rritjes së ndjenjës anti-emigrantë, shkruan Euractiv duke cituar disa diplomatë. Gjithashtu sipas medias së Brukselit, frenon momentin e Gjermanisë dhe shefit ekzekutiv të BE-së Jean-Claude Juncker në luftimin e influencës Ruse në Ballkanin Perëndimor.

“Negociatat mund të fillojnë pas zgjedhjeve të parlamentit Europian vitin e ardhshëm, nëse dy vendet kandidate vazhdojnë të bëjnë progres në reformat e kërkuara nga BE, me rëndësi të veçantë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri”, shkruan Euractiv.

Media e njohur nënvizon se vendosja e datës për hapjen e negociatave është parë me shumë rezerva nga Franca dhe Holanda. Ndërsa komisioneri për Zgjerim, Johanes Hahn, e cilësoi një hap vendimtar për besueshmërinë e vetë BE-së./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!