Eshtrat e Mid’hat Frashërit rivarrosen në atdhe 69 vjet pas vdekjes

schedule19:16 - 14 Nëntor, 2018

schedule 19:16 - 14 Nëntor, 2018

Eshtrat e Mid’hat Frashërit do të prehen në atdhe sipas amanetit të tij. Atdhetar, mendimtar dhe figurë e shquar e Rilindjes dhe Pavarësisë, më i riu i familjes së shquar të Frashërllinjve u varros në dhe të huaj për shkak të anatemimit nga regjimi komunist. Por sot eshtrat e tij u rivarrosën pranë 3 vëllezerve Frashëri, në parkun e Liqenit në Tiranë.

Përmbushet amaneti i Mit’hat Frashërit 69 vite pas vdekjes. Eshtrat e patriotit të shquar tashmë vijnë në atdheun e tij, në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama thotë se sapo ka nisur rruga për pastrimin e kësaj figure poliedrike të kombit shqiptar.

Historiani dhe studiuese Aurel Plasari nënvizon flijimin e karrierës së Mid’hat Frashërit në të mirë të kombit shqiptar.

Arkmorti me eshtrat e mendimtari, politikanit dhe shkrimtarit Mid’hat Frashëri mbërriti mëngjesin e së mërkurës në aeroportin e Rinasit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Homazhet në nder të patriotit të shquar u zhvilluan në Akademinë e Shkencave. Simbolikisht 110 vite më herët, kur filloi punimet Kongresi i Manastirit drejtuar prej Mid’hat Frashërit. Studiuesi Bashkim Kucuku thotë se zgjedhja e kësaj dite është mjaft smblike dhe domëthënëse kombin shqiptar.

Homazhet u kryen nën masa të rrepta sigurie, ku edhe buqetat me lule u skanuan. Në ceremoninë e homazheve në Akademinë e Shkencave morën pjesë personalitete të shquara, historianë, artistë, qytetarë të thjeshtë dhe politikanë. Ish-kryeministri Sali Berisha tha se Mid’hat Frashëri ishte promotor i luftës për liri.

Ndërsa kreu i opozitës, Lulzim Basha, u shpreh që qeveria bëri detyrën në vendimin për të sjellë në Shqipëri eshtrat e Mid’hat Frashërit. Më pas arkmorti i mbuluar me flamurin kuqezi, nga Akademia e Shkencave u drejtua në kodrat e liqenit artificial, aty ku do të prehen eshtrat e tij në mëmëdhe, përkrah babait, Abdyl Frashërit dhe xhaxhallarëve të tij, Naim dhe Sami Frashëri./abcnews.al