Sondazh

Protestat e Sali Berishës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Është shkelur ligji ndërkombëtar”/ Minxhozi për luftën në Iran: Faktor, dosja Epstein dhe korrupsioni i Netanyahut

schedule20:31 - 5 Mars, 2026

schedule 20:31 - 5 Mars, 2026

Analisti Skënder Minxhozi tha se përplasja mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po zhvillohet në kundërshtim me parimet e ligjit ndërkombëtar dhe rrezikon të ketë pasoja të gjera politike dhe ekonomike. I ftuar në emisionin “Real Story”, ai komentoi zhvillimet e fundit të konfliktit, i cili sot shënon ditën e gjashtë nga sulmet e SHBA-së ndaj Iranit, ku sipas raportimeve u vra edhe lideri suprem iranian, Ali Khamenei.

Minxhozi theksoi se eliminimi i kreut të një shteti përbën një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar dhe se një reagim nga ana e Iranit është i pritshëm, duke pasur parasysh edhe arsenalin e madh të raketave balistike që zotëron vendi. Sipas tij, deklaratat e SHBA-së se lufta mund të zgjasë vetëm 3–4 javë lidhen edhe me kapacitetet e kufizuara prodhuese të armëve, ndërsa paralelisht konflikti po shkakton pasoja ekonomike, duke reflektuar në rritjen e çmimit të karburanteve dhe të mallrave të konsumit.

Analisti shtoi se efektet e krizës po ndihen edhe në Shqipëri, ku sipas tij tashmë kanë nisur rritjet e çmimeve të naftës, çka pritet të përkthehet në shtrenjtim të përgjithshëm të produkteve. Në analizën e tij, Minxhozi ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi motivet e përshkallëzimit të konfliktit, duke kujtuar se në qershor ishte planifikuar një takim mes SHBA-së dhe Iranit në Katar, ndërsa ndërhyrja e Izraelit e ka përshkallëzuar situatën. Sipas tij, në sfond mund të ndikojnë edhe presione politike të brendshme në Izrael, përfshirë çështje që lidhen me kryeministrin Benjamin Netanyahu.



“Në këto momente që ne flasim, doktrina ka qenë ajo e ligjit ndërkombëtare dhe ligji ndërkombëtar është shkelur haptazi. Nuk mund të vrasësh kreun e një shteti dhe ai shteti të ngrejë duart, kur ka një stok armësh balistike që është një ndër më të mëdhatë në botë. Ky është një problem, sepse na çon te deklaratat e SHBA që kjo luftë do zgjasë 3-4 javë. SHBA dhe Izraeli kërkojnë që të mbarojë shpejt. Amerika ka një kapacitet prodhues prej jo më shumë se 500 të tilla në vit, dhe të mendosh që të këto i kërkojnë të gjithë.

Është në lojë koha dhe gjithashtu kriza që po prodhon kjo kohë që po kalon dhe që pasqyrohet tek rritja e bursës së karburantit dhe që prodhon një rritje të të gjitha mallrave të konsumueshme. Në Tiranë kanë filluar ta rrisin në çmimin e naftës, dhe përkthehet në rritje masive në të gjitha mallrat që ne konsumojmë. Pse kjo luftë?! Izraelitët kanë disa halle, sepse nuk shpjegohet që në qershor SHBA dhe Irani kishin lënë takim në Katar, Izraeli shkon dhe godet. Sa më shumë i afrohen një rekordi, aq më shumë ashpërsohet reagimi i Izraelit. E futën botën në një qorrsokas. Dosjet Epstein dhe korrupsioni i Benjamin Netanyahut janë faktorë për këtë që ne po kalojmë sot”, tha Minxhozi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!