Enerjeta Blloshmi, vajza e poetit Vilson Blloshmi, pushkatuar në diktaturë ka bërë një rrëfim për herë të parë në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News. Ndër të tjera, ajo ka folur dhe për dosjen hetimore, të cilën pasi e ka lexuar ka kuptuar se nuk kishte asgjë të vërtetë dhe babai i saj është pushkatuar kot.
“Çdo tipar në fytyrën time i kujton të gjithëve babain tim. Kur u rrita që u theksuan edhe më shumë tiparet e mija, kur shkoja në internim që takoja gjyshërit, nuk më përshëndesnin, por fillonin qanin.
Unë jetoj prej 29 vitesh në Itali dhe dosjen hetimore e kam marrë në vitin 2017. Janë pushkatuar kot, nuk kishte asgjë në atë dosje që këta dy djem t’i çonte drejt pushkatimit, asgjë, ishin të tëra akuza të sajuara, asgjë e vërtetë se çfarë thuhej në atë dosje. Çdo gjë ishte absurde, që të dënosh dy të rinj, në atë mënyrë pa bërë asgjë.
Ka qenë çdo gjë e studiuar në tavolinë, nuk kishte asgjë reale, ishin dëshmitarë që nuk kanë parë asgjë, ishin të tëra akuza të sajuara. Shumica e atyre dëshmitarëve që kanë folur për babain tim mund ta njihnin si figurë, si emër, por nuk dinin asgjë për të. Kjo është shumë e dhimbshme”, tha Enerjeta.
Më tej, sa i përket eshtrave të babait që u gjetën në vitin 1994, ajo tha se shpresonin që deri ditën e fundit të ishte gjallë dhe ka qenë një tronditje shumë e madhe për të, nënën dhe gjyshen. Enerjeta ka theksuar se në atë moment humbi e gjithë shpresa.
“Ne jemi munduar që në vitet ’90, sa ra diktatura, mamaja ime, xhaxhai im, Selman Blloshmi për ta kërkuar. Kemi kërkuar gjithandej, nuk kemi lënë vend. Jemi munduar në çdo formë që t’i gjejmë, u arrit në vitin 1994 dhe ka qenë një ndjesi shumë e trishtë, se ne deri në momentet e fundit mendonim që nuk është e vërtetë. Gjyshja me mamin tim, thoshte gjatë gjithë kohës: ‘Po jo, ndoshta nuk i kanë vrarë, ndoshta janë gjallë, ndoshta i kanë marrë për agjentë, ndoshta i janë dhimbsur’.
Duke mos gjetur një varr dhe shpresa rritej më shumë. Shpresonim që mund të ishin arratisur, mund t’i kishin përdorur si agjentë. Kur u gjet varri, ka qenë diçka shumë e rëndë për ne, humbi shpresa. Deri në vitin ’94, ne mendonim se mund të ishte gjallë, ishte një lloj shprese pak absurde, por shpresonim. Unë isha e vogël, por më shumë gjyshja dhe mamaja ime”, deklaroi ajo./abcnews.al