Është Kukësi për titull? Shehi flet hapur pas humbjes kundër Skënderbeut

schedule20:27 - 9 Mars, 2020

schedule 20:27 - 9 Mars, 2020

Trajneri i Kukësit, Orges Shehi, nuk e ka nisur mirë aventurën e tij në krye të verilindorëve, pasi në dy ndeshjet e para, ka marrë vetëm një pikë. Pas humbjes ndaj Skënderbeut, numri një i bluve foli për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, aty ku u shpreh:

NDESHJA – “Nuk i falëm minuta Skënderbeut, i falëm topa. Me dy topa të humbur, na ndëshkuan. Kur kemi ne topin, duhet të dalim në sulm, por ndodhi e kundërta. Por në futboll këtë gjëra ndodhin”.

TITULLI – “Mendimi im për momentin është që skuadra të kthehet te fitorja. Kemi disa javë që nuk fitojmë dhe skuadra është e ngarkuar. Objektivi do të jetë fitorja e ndeshjes së radhës, pastaj për t’u rinisur”.

MUSOLLI – “Musolli nuk është stërvitur 100%, por dy ditët e fundit është stërvitur. Sot na duhej në fushë, pasi nuk kemi alternativa në mesfushë. Ndërsa në sulm, kishim vetëm Cooper alternativë. Do të kisha dëshirë të kisha më shumë lojtarë në dispozicion, pasi mungesat janë prezente dhe alternativat e pakta”.

EMRAT – “Sot na munguan tre lojtarë. Shkurtaj është pikë referimi, Teqja dhe Musta ndikuan në mbrojtje. Sot, edhe Musolli doli për arsye dëmtimi. Kam frikë se dhe Musolli do t’i shtohet listës së mungesave”.

NDESHJA – “Ishte një ndeshje e hidhur, mendoj se meritonim më shumë për atë që prodhuam në lojë. Mesa shoh unë, kur lojtari më i mirë del portieri kundërshtar, sa i përket fazës së sulmit kemi bërë mirë. Mua personalisht më dhemb, pasi kemi pësuar gola të evitueshëm”.

GJICI – “Unë personalisht respektoj hierarkinë. Presidenti ka të gjithë të drejtën t’iu qëndrojë fjalëve të tij. Ai është i pari i kësaj pune dhe nuk kam pse të komentoj fjalët e presidentit. A është Kukësi në valle për titull? Është!”, përfundoi Shehi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!