Eksperti i ekonomisë Safer Gerxhaliu ka thënë në një lidhje me Skype nga Prishtina për “Ballkan Update” se fokusi i qeverisë së Albin Kurtit është në Veri, ndërkohë që situata ekonomike është përtokë.
Ai ka theksuar se qeveria duhet të reflektojë, pasi katër vjet pas marrëveshjes së Uashingtonit, Kosova është në raportet më të këqija me BE dhe me SHBA.
Sipas Gerxhaliut, Kosovës nuk i duhet një rritje numerike, por një rritje ekonomike substanciale.
“Marrëveshja e Uashingtonit nëse analizohet është e rëndësisë së pakontestuar politike, është e rëndësisë së pakontestuar gjeostrategjike, një garanci e një zhvillimi ekonomik dhe social, një garanci e përshpejtësimit të proceseve integruese dhe një garanci që e pozicionon SHBA në Beograd të jenë të më të pranishme. Duhet të kuptohet e vërteta që kosovarët duhet ta dinë, sa më e madhe të jetë prezenca e SHBA në Serbi, aq më e madhe do të jetë siguria në Kosovë.
Humbjet e Kosovës nga moszbatimi i kësaj marrëveshje janë dhe politike, ekonomike, sociale dhe integruese. Sikur një marrëveshje e tillë të kishte vazhduar do të kishte qenë një fitore jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të tërë Ballkanin Perëndimor. Lufta për pushtet është aq e rëndësishme, sa që marrëveshje të tilla me rëndësi gjeo-strategjike kthehen në pikën zero dhe sot katër vjet pas marrëveshjes së Uashingtonit, Kosova është në raportet më të këqija me BE, qoftë me SHBA dhe ajo që është më shqetësuese është fakti që si duket Serbia nuk duhet të bëjë asgjë, sepse vendimet në qeverinë e Kosovës janë ato që i shkojnë shumë më tepër në shtat Serbisë dhe jo Kosovës, prandaj besoj është koha për reflektim.
Kosovës nuk i duhet një rritje numerike, i duhet një rritje ekonomike substanciale. Rritja numerike po zbatohet vetëm në konsum dhe kur flitet për konsum dhe kur flitet në konsum Kosova ka eksportuar paratë e gatshme. Diaspora kur vjen dhe shikon çmimet e produkteve në Kosovë habitet. Unë sot do të isha personi më i lumtur sikur të numëroja pesë kompani të huaja që kanë investuar në Kosovë”, u shpreh eksperti i ekonomisë./abcnews.al