Loja me dritën mes natyrës dhe njeriut, ky është fokusi i fotografes Emira Zenelaj që e pasqyron edhe në ekspoziten “PHOS”.
Emira Zenelaj me profesion është arkitekte, por prej 5 vitesh ajo rend pas pasionit të saj fotografisë. Kjo është hera e parë që shfaqet në një ekspozitë personale, por më herët ajo ka marrë pjesë në ekspozita kolektive, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Këtë prezantim e ka pagëzuar me emrin e marrë nga greqishtja “PHOS” e thënë shqip dritë. Çasti i kapjes se rrezeve të dritës është gjëja më e rëndësishme në fotografinë e saj, ku loja me dritën është thelbësore.
Çdo shkrepje të saj ajo e lidh me një çast poetik. Ardian Isufi e cilëson kërkimin e saj një natyrë delikate, elegante dhe mjaft feminile. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 korrik në FAB./ABC News Albania 24/7