Erion Veliaj: Shtojmë sportelet për të aplikuar për mjetet e identifikimit

schedule15:17 - 18 Janar, 2019

schedule 15:17 - 18 Janar, 2019

Radhët e gjata të krijuara prej disa ditësh për të marrë shërbime apo për të aplikuar për mjete identifikimi, Bashkia e Tiranës shton zyrat dhe sportelet në njësinë nr 14 në kryeqytet. 

Banorët e zonës së Astirit, Unazës së Madhe dhe të Kasharit do t’i shpëtojnë pritjes në radhë për të marrë certifikata apo shërbime të tjera. Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i cili tha se këta banorë nuk do të duhet të shkojnë deri në Kombinat për të marrë këto shërbime.

Me këto tre lagje të reja, lajmi i mirë është që zyrat janë edhe më të mira, Do të thotë, ruajmë standardet e fundit kur vjen puna te pritja për publikun, te shërbimi për qytetarin, te aksesi për njerëzit që mund të kenë aftësi ndryshe. Deri dje ishte një komunitet jo i dyzuar, ‘i trezuar’, një pjesë shkonte në Kombinat për shërbime, një pjesë tjetër në Kashar, një pjesë tjetër te ’21 Dhjetori’. Sot s’ka më nevojë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj tha se duke nisur nga java e ardhshme, njësitë administrative do të shtojnë mjediset për aplikimet për karta identiteti, në mënyrë që të shmangen radhët e gjata.

“Zyra e Aleat-it do të jetë këtu për këtë njësi, për kartat e identitetit dhe pasaportat, pa pasur nevojë të që qytetarët të shtyhen në radhë në njësitë e tjera. Sigurisht, për Aleati-in që emeton kartat e identitetit edhe pasaportat, do të shtojmë ambientet edhe në njësitë e vjetra. Ndaj vlen si njoftim për të gjithë qytetarët”, u shpreh kryetari i Bashkisë.

Kryebashkiaku bëri të ditur se zona e Astirit, Unazës së Madhe dhe e Kasharit do të përfitojë një sërë investimesh të rëndësishme, si në infrastrukturën arsimore, atë urbane, edhe në ujësjellës./abcnews.al