Në këtë periudhë çdo gjë duhej të kishte përfunduar në Porto Romano të Durrësit sipas planit të emergjencës. Në të vërtetë aty asgjë nuk ka ndryshuar, vetëm hapësira ku derdhen plehrat është zgjeruar.
“Edhe pas disa muajsh nga shpallja e emergjencës mjedisore në landfillin e Porto Romanos situata mbetet e njëjtë”.
Derrat janë shtuar dhe temperaturat po rriten. Era e rëndë nga mbeturinat është e padurueshme. Shpresa për një verë më të pastër, është shuar. Spostimi i mbetjeve drejt Tiranës dhe pastrimi i zonës, gati 1 vit më parë u fol si zgjidhje.
Por, sot në këtë vend asgjë nuk ka ndryshuar. I shtrirë në një sipërfaqe prej 18 hektarësh vendgrumbullimi vazhdon të zgjerojë kufinjtë tij. Ndalimi i asgjësimit të mbeturinave me anë të djegies në terren të hapur ka ulur ndotjen e ajrit. Por, nga ana tjetër ka rritur volumin e mbeturinave. Edhe rrethimi i landfillit si masë paraprake për minimizimin e nivelit të ndotjes u bë vetëm pjesërisht.
“Zona e vendgrumbullimit nuk u rrethua plotësisht ashtu sikurse u premtua nga institucionet. Siç shihet edhe nga pamjet vetëm një pjesë e saj është me gardh, ndërsa pjesa tjetër mbetet e ekspozuar ndaj kafshëve që hyjnë në brendësi të landfillimit apo edhe banorëve të zonës”.
Për këtë arsye, dy muaj më parë banorë të zonës dhe studentë të universitetit “Aleksandër Moisiu” depozituan një kërkesë-padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë ndaj Bashkisë së Durrësit. Ata kërkuan marrjen e masave konkrete për menaxhimin e ndotjes që shkaktohet nga landfilli. Fusha ka mbi 25 vjet që shfrytëzohet. Volumi aktual i mbetjeve arrin në 550 mijë metër kub.
Gazetare e ABC News, Durrës: Enkeleda Arapi