Erdogan sfidon NATO-n e SHBA: Sistemi rus i mbrojtjes do të vijë shumë shpejt

schedule21:27 - 31 Gusht, 2018

schedule 21:27 - 31 Gusht, 2018

Turqia vijon të sfidojë NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara pasi vijon të blejë armatime nga Rusia. Presidenti i vendit Erdogan njoftoi se sistemi rus i mbrojtjes do të mbërrijë shumë shpejt.

“Turqia ka nevojë dhe së shpejti do të marrë në zotërim sistemet e mbrojtjes ajrore ruse S-400”, – tha te premten Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, ndërkohë që në sfond ziejnë tensionet me Uashingtonin që kërcënon të bllokojë dorëzimin e avionëve luftarak në Ankara. “Marrëveshja mbi këtë çështje është e përfunduar dhe, me dëshirën e Zotit, ne do t’i marrim këto sisteme sa më shpejt që të jetë e mundur,” tha presidenti turk gjatë një ceremonie diplomimi kadetësh në Balikeshir, në perëndim të vendit.

Këto deklarata vijnë pasi marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara janë tensionuar në javët e fundit dhe Uashingtoni ka shprehur shqetësimin se Ankaraja, një anëtare e NATO-s, po pajiset me armë ruse. Turqia dhe Rusia thonë se tashmë është arritur një marrëveshje dhe Ankaraja argumenton se shpërndarja e sistemeve anti-raketë dhe anti-ajror- një konkurrent i sistemit amerikan ajror “Patrioti” – mund të jetë efektiv vitin e ardhshëm. Për Shtetet e Bashkuara, blerja e sistemeve ruse S-400 nga Turqia do të përbënte një problem të dyfishtë: atë të përputhshmërisë me sistemet e NATO-s dhe atë të mbrojtjes së sekreteve teknologjike të avionëve luftarak amerikan F-35. Ankaraja dëshiron të blejë këtë tip avioni liuftarak, por sicc tha erdogan nuk dihet nëse Shtetet e Bashkuara do t’u sigurojnë ose nuk do t’i japin turqisë këto lloj avionësh. “Nëse i japin, ata do të tregojnë se po i mbajnë premtimet”, tha presidenti turk.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara janë tendosur ndjeshëm gjatë javëve të fundit si rezultat i burgosjes dhe pastaj arrestimit shtëpiak në Izmir të një pastori amerikan të akuzuar nga Ankaraja për “spiunim” dhe aktivitete “terroriste”. Këto tensione kanë shkaktuar rënien e lirës turke, e cila ka humbur rreth 40% të vlerës së saj që nga fillimi i vitit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!