Erdogan: NATO nuk duhet të bëhet palë në luftë me Rusinë

schedule15:28 - 10 Korrik, 2024

schedule 15:28 - 10 Korrik, 2024

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi dje aleatët e NATO-s kundër miratimit të masave që mund ta tërheqin Aleancën e Atlantikut të Veriut në një luftë në Ukrainë kundër Rusisë, raportoi agjencia amerikane e lajmeve Bloomberg.

“Ndërsa përcaktojmë masat që duhen marrë për të mbështetur Kievin, ne gjithashtu mbajmë qëndrimin tonë parimor për të mos e bërë NATO-n palë në luftë”, tha Erdogan në aeroportin e Ankarasë përpara se të fluturonte për në samitin e aleancës në Uashington.

Presidenti turk siguroi mbështetjen e vendit të tij për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Erdogan më pas u kërkoi udhëheqësve të NATO-s të heqin kufizimet në tregtinë e industrisë së mbrojtjes me Turqinë.

“Zbatimi i vendimeve të marra në Vilnius në lidhje me luftën kundër terrorizmit dhe heqjen e barrierave për tregtinë e mbrojtjes midis aleatëve është i rëndësishëm,” tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!