Edhe për pesë vitet e ardhshme Erdogan do të jetë presidenti i Turqisë me një pushtet në rritje. Nga ana tjetër pavarësisht kritikave dhe përplasjeve, Bashkimi Europian duket se i është dorëzuar fitores së tij për hir të marrëveshjes për emigrantët.
Erdogan, do të jetë president i Turqisë për të paktën 5 vitet e ardhshme dhe do të ketë fuqi ekzekutive të pakushtëzuara falë ndryshimit të sistemit nga qeverisje parlamentare në atë presidenciale. Me mbi 53% të votave, ai është konfirmuar në drejtim të shtetit. Në këtë mënyrë, Erdogan konfirmoi parashikimet e sondazheve dhe ka arritur që të shmangë raundin e dytë të balotazhit pasi siguroi mbi 50% të votave.
Përtej kësaj, Erdogan ka marrë dhe shumë siguri dhe mbështetje sa i përket parlamentit. Aleanca Popullore, ku bën pjesë dhe partia e tij, ka arritur të fitojë 295 deputetë nga 570 vende që janë gjithsej në parlament, i cili nuk do të ketë aq shumë ndikim tashmë. Me këtë mazhorancë, presidenti turk do të jetë në gjendje të konfirmojë të gjitha reformat e tij.
Presidenti turk theksoi se siguria e vendvotimeve dhe liria e votimit gjatë zgjedhjeve ishte tregues i fuqisë së demokracisë së vendit.
“Turqia i dha një mësim gjithë botës mbi demokracinë, me një pjesëmarrje në votim prej 90 për qind”, u shpreh Erdogan.
Ai gjithashtu shtoi se qëllimi i qeverisjes së re do të jetë që Turqia të realizojë objektivat e vitit 2023.
Sa entuziastë, aq edhe të hutuar. Sa të lehtësuar, aq edhe skeptikë. Pas një tjetër fitoreje bindëse të Rexhep Tajip Erdogan, popullsia e Turqisë është sërish e ndarë në dy palë. Opozita e fragmentarizuar u bashkua për zgjedhjet parlamentare dhe dukej se do t’i mohonte presidentit mazhorancën. Lideri i saj, Muharrem Inçe ishte njeri karizmatik dhe bënte turmën për vete.
Sondazhet sugjeronin se ai do ta çonte në raundin e dytë betejën me Erdogan. Meral Aksener ishte një tjetër figurë e opozitës që thuhej se do t’ia hante votat presidentit dhe për herë të parë, pakica mund të ëndërronte për t’u bërë shumicë. Por nuk ndodhi kështu. Fitorja e Erdogan në zgjedhjet e radhës u provoi të kundërtën atyre që dyshonin tek ai. Kur numërimi i votave ishte pranë fundit, në zyrat e partisë së presidentit nisën festimet. Fishekzjarret shpërthyen, flamujt u ngritën dhe brohoritjet filluan.
“Ai është gjithçka për ne. Ky vend nuk do të ekzistonte po të mos ishte ai”, tha një mbështetës për BBC.
“Organizatat terroriste humbën. Populli turk fitoi. Myslimanët e vërtetë fituan”, ishte një tjetër koment.
Por nga ana tjetër, pretendimet për manipulime janë të shumta. Gjatë numërimit, opozita akuzoi agjencinë shtetërore të lajmeve “Anadolu” se po publikonte rezultatet, kur një pjesë e mirë e kutive nuk ishin hapur ende. Ndërsa media të tjera, të cilat kishin ironizuar zgjedhjet e mëparshme, ishin mbyllur ose u ishin shitur pronarëve të rinj.
“Po jetojmë në një regjim fashist. Megjithatë, regjimet fashiste nuk fitonin me 53 për qind të votave, por me 90. Ndaj, ky është një progres i vogël që mund të rritet”, tha deputeti i opozitës Selin Sajek Boke.
Defektet janë vënë në dukje edhe nga OSBE një ditë pas procesit. Sipas organizatës, mohimi i lirive thelbësore pati një ndikim të fortë në këto zgjedhje. Gjithashtu, opozita nuk mundi të bënte fushatë në kushte të barabarta me forcat që mbështesnin zotin Erdogan. Por për turqit konservatorë, kjo nuk ka shumë rëndësi. Për ta, mbyllja e Twitter-it dhe burgosja e gazetarëve nuk përbën shqetësim.
Të rëndësishme janë vetëm urat, aeroportet, shkollat dhe spitalet të ndërtuara nën drejtimin e Erdogan, të cilat kanë përmirësuar jetët e tyre. Por pavarësisht optimizmit, gjërat për Turqinë nuk janë aq “rozë”. Bumi ekonomik ka ngecur, inflacioni ka arritur në 12 për qind dhe lira turke që nga fillimi i vitit ka humbur thuajse një të pestë e vlerës së saj, duke shkaktuar pakënaqësi edhe tek vetë rrethi i ngushtë i presidentit.
Por, sido që të jetë, ky është momenti i Erdoganit. Me kompetencat e reja të zhvatura kryeministrit, ai do të mund të emërojë ministrat, gjyqtarët dhe të bëhet lideri më i pushtetshëm i Turqisë që nga themelimi i saj nga Kemal Ataturku. Tani ai shpreson të udhëheqë vendin të paktën deri në vitin 2023. Dhe në këto kushte, opozitës i mbetet vetëm të mblidhet sërish dhe të shqyrtojë se si dhe nëse ky lider mund të mposhtet. Sipas vetë Erdogan, në këto zgjedhje nuk ishin vetëm qytetarët turq, ata që fituan por dhe të shtypurit nëpër botë.
Por gjithsesi, ai shpresonte në një fitore më të gjerë, duke pranuar se nuk ishte arritur objektivi, duke marrë parasysh dhe rënien e mbështetjes ndaj partisë së tij AKP, Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit, e cila ka humbur shtatë pikë.
Por mbetet fakt që Erdogan ka fituar bastin e tij për zgjedhje të parakohshme, regjimi presidencial hyn në fuqi një vit e gjysëm para kohës së përcaktuar. Tashmë Erdogan është president dhe kreu i qeverisë, i cili ka të drejtë të emërojë apo zëvendësojë ministra, sipas dëshirës dhe mund të shpërndajë parlamentin nëse do e gjykojë të arsyeshme.
Por qëndrimi i Europës ndaj kësaj fitoreje, sipas disa analistëve politikë konsiderohet se një hipokrizi ndaj frikës së emigrantëve e për këtë arsye, Europa vendosi të bekojë fitoren e sulltanit, duke harruar shkeljen e të drejtave të njeriut. Kjo nënkupton se marrëveshja për emigrantët është shumë e rëndësishme që të rrezikohet nga principi i lirive themelore.
Për Bashkimin Europian, Erdogan është vetëm një gardian i emigrantëve, pra le ti mbajë aty në kampet në kufi me Sirinë dhe të mos i nisë me gomone në Greqi që më pas ata të provojnë itenerarin e Ballkanit, i cili është i mbyllur dhe do të qëndrojë i mbyllur. Po sa kushton ky shërbim i presidentit Erdogan? Gjashtë miliardë euro, e tashmë bëhet fjalë për pagesën e dytë se e para është kryer.
Komentet europiane për fitoren elektorale të sulltanit të Bosforit janë shumë pranë hipokrizisë: Komisioni Europian me anë të zëdhënësit Margaritis Schinas kërkoi që Turqia të respektojë bashkëpunimin me BE-në për tema si emigracioni, siguria qëndrueshmëria rajonale dhe lufta kundër terrorizmit. E përkthyer është një dritë jeshile për Erdoan që të vazhdojë të shtypë kurdët brenda dhe jashtë Turqisë si dhe kufizojë liritë themelore të qytetarëve të tij, mjafton që të mbajë emigrantët.
Por gjithsesi, kjo hipokrizi nuk arrin deri aty sa të lërë të kuptohet se perspektiva e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Europian është reale. Bashkimi Europian nuk dëshiron të marrë në bashkësi një bashkëpronar si Erdogan, autoritar, islamik dhe karakter të keq Por as Erdogan nuk e do BE-në pasi për tu’ bërë pjesë e saj duhet të bindet për detyrime që as ka ndërmend të zbatojë. I pari është dënimi me vdekje.
Liderët e 28 vendeve anëtare diskutuan këtë javë në Bruksel për pjesën e dytë të gjashtë miliardëve që do i jepen Turqisë për emigrantët si dhe për financimin e fondit të mirëbesimit për Afrikën me objektivin që Nigeria dhe Senegali të mbajnë në territorin e tyre ata që aspirojnë të emigrojnë.
Edhe kancelarja gjermane Anxhela Merkel, e cila nuk mund të konsiderohet mike e tij, e uroi për fitoren: Jam e lumtur që do të vazhdojmë të punojmë së bashku për vendet tona, duke shtuar se do të donte të ishte përballë një Turqie plurale dhe të qëndrueshme, ku demokracia dhe shteti i së drejtës do të jenë më të fortë.
Por dhe britanikët, të cilët nuk falin, kur bie fjala për respektimin e të drejtave të njeriut, kanë shënuar një kthesë me kryeministren Theresa May, e cila një vit më parë ishte në Ankara dhe nënshkroi me Erdogan marrëveshje ekonomike dhe ushtarake, duke e konsideruar Turqinë një aleat të mirë në një sërë interesash të përbashkëta si siguria rajonale, anti terrorizmi dhe investimet.
Përsa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump nxitoi të telefononte për të ururar homologun e tij turk, duke folur për përforcim të demokracisë, pikërisht në momentin, kur sapo ishte kryer një tjetër operacion policie anti-gulenist. Dhe Fetullah Gulen prej vitesh në territorin amerikan nuk mund të ndihet i qetë.
Përsa i përket Putin, suksesi i Erdogan është një dëshmi i autoritetit politik pasi Cari me sulltanin mund të debatojën, por në fund e kuptojnë njëri tjetrin. E të mendosh që Erdogan e kishte kërkuar votën pro tij si një goditje ndaj Perëndimit. Në fakt programi i presidentit turk mund të përmblidhet në frazën me të cilën iu drejtua mbështetësve të tij: “Më rizgjidhni për t’i dhënë një leksion Perëndimit”. Erdogan, drejton Turqinë që nga viti 2003 si kryeministër dhe nga 2014 si president, e tashmë është më i pushtetshëm se kurrë më parë./abcnews.al