Erdogan i pari kryetar shteti i Turqisë që do të vizitojë Greqine pas 65 vitesh

schedule19:17 - 23 Nëntor, 2017

schedule 19:17 - 23 Nëntor, 2017

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan pritet të vizitojë Greqinë. Kjo do të jetë vizita e parë zyrtare e një presidenti turk në tokën Helene pas 65 vitesh.

Në Turqi, ai njihet si presidenti që ka thyer shumë tabu duke bërë ndryshime kushtetuese thuajse të pamundura. Tashmë tabutë kërkon t’i thyejë edhe jashtë vendit. Rexhep Tajip Erdogan do të bëhet presidenti i parë i Turqisë që do të vizitojë Greqinë në 65 vitetet e fundit. Lajmi është konfirmuar nga Zëvendëskryeministri i qeverisë së Ankarasë, Hakan Çavuşoğlu, i cili shton se pret që gjatë udhëtimit të përmirësohen mardhëniet mes dy shteteve. Megjithatë një datë e saktë se kur mund të ndodhë vizita nuk është bërë publike por thuhet se do të ndodhë gjatë ditëve në vijim.
“Kemi tre projekte konkrete. Njëri prej tyre është ekspedita e trageteve për transportin e njerëzve dhe mallrave nga Izmiri në Selanik. Projekti i dytë ndërtimi i linjës së trenit të shpejtë nga Stambolli për në Selanik dhe i treti ndërtimi i urës në portat doganore Kipi dhe Ipsala”, u shpreh Çavuşoğlu.

Megjithatë vizita e Erdogan në Greqi duket se është komplikuar paksa kohëve të fundit. Tensione mes dy vendeve fqinje u verifikuan përsëri të mërkurën mbi detin Egje. Pesë avionë ushtarakë turq shkelën 8 herë hapësirën ajrore greke. Kjo sjellje shkaktoi dhe reagimin e Athinës zyrtare që dërgoi në zonë disa avionë luftarakë.

Ndërkohë, nuk dihet nëse provokimet e shpeshta mes dy vendeve do të jenë në agjendën e vizitës së Erdogan në Greqi. Presidenti i tretë i Turqisë, Xhelal Bajar ishte kreu i shtetit i fundit që kishte udhëtuar në Greqi për një vizitë zyrtare në vitin 1952./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!