Erdogan apel kryeministrit grek

schedule11:59 - 6 Shkurt, 2019

schedule 11:59 - 6 Shkurt, 2019

Presidenti turk Erdogan i kërkoi kryeministrit grek Tsipras që të mos mbështesë terroristët duke iu referuar tetë ushtarëve turq që Athina nuk pranon të ekstradojë. Nga ana e tij kreu u ekzekutivit grek u shpreh se vendimet e gjykatës në Greqi janë të padiskutueshme

“Problemet mund të zgjidhen me dialog”.

Me këto fjalë presidenti turk Erdogan dhe kryeministri grek Alexis Tsipras shënuan takimin e një dite më parë në Ankara. Një takim i rëndësishëm gjatë të cilit të dy u përballën me tema shumë delikate në marrëdhënien kontroverse dhe shpesh herë konfliktuale mes Greqisë dhe Turqisë. Erdogan ndaloi sidomos në një pikë shumë të ndjeshme për Ankaranë, në mbrojtjen që Athina i ka dhënë tetë ushtarëve të dyshuar se kanë marrë pjesë në përpjekjen e dështuar për grusht shteti në vitin 2016. Presidenti turk u shpreh se priste nga Greqia që të mos kthehej në një strehë për anëtarët e grupeve terroriste Feto, PKK dhe frontit revolucionar për çlirimin popullor. Dhe njëherë më shumë ai i përsëriti kërkesën për ekstradimin e këtyre personave.

Tsipras nga ana e tij u shpreh se Greqia ka sistemin e saj gjyqësor dhe pavarësia e gjyqësorit është absolutisht e respektueshme dhe natyrisht ndarja e pushtetit është pjesë e pashkelshme e Kushtetutës greke. Kryeministri grek tha se vendimet e drejtësisë greke duhen respektuar. Tsipras theksoi se si qeveria e tij nuk ka asnjë lloj simpatie për ata që morën pjesë në përpjekjen për grusht shteti në 2016-n, por duhet respektuar vendimi i gjykatësve. Të dy liderët diskutuan ndër të tjera dhe për bashkëpunimin në fushën e energjisë. Udhëtimi diplomatik i Tsipras përfundon në Stamboll mbrëmjen e së mërkurës./abcnews.al