Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u zotua sot, para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, se do të “intensifikojë përpjekjet e tij diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”.
“Që nga fillimi i luftës ruso-ukrainase, ne jemi përpjekur t’i mbajmë rusët dhe miqtë tanë ukrainas rreth tryezës të bisedimeve, duke besuar në idenë se lufta nuk do të ketë fitues dhe paqja nuk do të ketë humbës,” tha Erdogan nga margjinat e Asamblesë së Përgjithshme.
Duke iu referuar çështjes së Nagorno-Karabakut, presidenti turk tha se vendi i tij mbështet hapat e ndërmarrë nga Azerbajxhani për të ruajtur integritetin e tij territorial. Ai theksoi se Nagorno-Karabakh është pjesë e territorit të Azerbajxhanit dhe vendosja e një regjimi tjetër në këtë enklavë është “i papranueshëm”.
Ministria e Jashtme turke i përshkroi gjithashtu si “të arsyeshme” “shqetësimet” që çuan në operacionin ushtarak të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabakh , megjithëse i bëri thirrje Azerbajxhanit dhe Armenisë që të kthehen në dialog. “Azerbajxhani u detyrua të marrë masat që i konsideron të nevojshme në territorin e vet”, theksohet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme turke.