Qytetarët po flasin njëzëri në protestën e sotme para kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve. Të bashkuar janë qytetarë, aktivistë, aktorë të cilët me pankarta në duar kanë përcjellë mesazhe, duke kërkuar që autoritetet të reflektojnë.
Mes shumë fjalimeve të aktivistëve, pedagogëve, ishte dhe zëri i një qytetari, i cili i bëri thirrje qytetarëve që nesër në shenjë proteste të ndalojnë makinat e tyre dhe të bllokojnë rrugët ne shenjë kundërshtie për rritjen e çmimeve.
“Ai që keni pas, nuk është qenie njerëzore, por vampir. Ju drejtohem socialistëve, kur babai juaj, vëllai juaj. Ndez makinën për të marrë furnizim, apo del për qejf, apo për të fituar bukën e gojës, me naftë bëhet gjithçka. Ky spekulanti këtu del i pari dhe thotë; do rritet nafta, benzina, dhe çmim i energjisë, dhe me vrap spekulantët rrisin çmimet. Socialistë mos rrini në shtëpi, çohuni! Dilni se do të keni më pak para nga xhepi. Po fitojnë vetëm drejtorët e Rilindjes, dhe lavatriçja në Bashki. Ju socialistë po varfëroheni, miqtë tuaj po varfërohen. Zgjohuni, fikini makinat nesër në mes të rrugës me justifikimin se nuk keni karburant; bllokoni rrugën.”, tha protestuesi.
Protestës i është bashkuar edhe një banore e 5 majit. Ajo tha se është e padrejtë se si ia prishën shtëpitë dhe nënvizoi se 5 maji, ka marrë pamjen e vendeve si në Afganistan e Siri. Ajo bëri thirrje që qytetarët të bashkohen në këtë protestë.
“Vij nga 5 maj, kemi ndërtuar që në ’93-in dhe thanë do ju legalizojmë ndërtimet. Kam suvatuar me babain dhe vëllezërit, e tani duhet të na i prishin. Pse? Ku është e drejta. Është bërë 5 maj si Afganistani e Siria. Ngrihuni shqiptarë, ku janë djemtë? S’kemi lidhje me partitë fare. Ngrihuni!”, tha banorja.
Edhe Ekonomisti Pano Soko i është bashkuar protestës së sotme zhvilluar kundër rritjes së çmimeve. Ai u shpreh se kjo është një krizë e keqqeverisjes, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve që të mos ndalin protestat.
“Do e kalojmë krizën bashkë tha, po si bashkë morë, po ky nuk blen as naftë, as miell , as domate, këtij ja blejmë. Ore se këta të luajnë menç…Naftën ne e paguajmë vetë. Ajo tjetra thotë dil ecni në këmbë. Me falni sot zonja ministra me çfarë shkove në punë? Ka shkuar me Mercedez, po ne s’kemi lek të paguajmë naftën tonë dhe të asaj. Dhe dy muaj po të zgjasë nuk do kemi budallenj rrugëve se do të jemi të gjithë njësoj.
Thirrje për ata që marrin një thes miell për votën. mos votoni as hajdutët , se këta kështu e kalojnë gjithmonë me miell me vota,. Është edhe faji ynë. Nëse ne ngulemi çdo ditë në shesh, nuk vjen më nga Dubai ky që do ndajë krizën me ne. Kjo është krizë keqqeverisje, sepse ne e lejojmë. Ku ishim ne kur shkatërruam rafinerinë, ishim në shtëpi. Qytetari në demokraci duhet të jetë vigjilent sepse hajduti nuk e harron zakonin…”, tha ai.
/abcnews.al