Luis Enrique konfirmoi se Kylian Mbappe do të rikthehet në skuadrën e Paris Saint-Germain për ndeshjen me Toulouse pasi ‘dënimit’ të tij po i vjen fundi.
Shumëçka mund të ndryshojë brenda një jave. Përpara ndeshjes hapëse të ligës së PSG kundër Lorientit, superylli francez ishte ende duke u stërvitur me një grup shokësh që ishin të ‘panevojshëm’ dhe Enrique lëshoi një paralajmërim se “klubi është mbi gjithçka”.
Që atëherë, drejtuesit e ekipit kanë arritur në një mirëkuptim me Mbappen, “pas bisedimeve shumë konstruktive dhe pozitive” dhe ish-ylli i Monacos tani është ri-integruar përsëri në skuadër.
Mesazhi i Enriques ka pësuar gjithashtu një ndryshim të rëndësishëm pasi trajneri spanjoll tani e cilësoi atë si “perfekt” dhe siguroi se ai do të kthehet në veprim gjatë fundjavës kundër Toulouse.
“Kylian është perfekt nga ajo që pashë në stërvitje. Ai ka shumë dëshirë dhe vjen me një gjendje të mirë shpirtërore. Ai është një lojtar i klasit botëror dhe jam shumë i lumtur”, u tha Enrique gazetarëve.
Edhe pse klubi dhe lojtari kanë gjetur një zgjidhje miqësore për momentin, Mbappe nuk është angazhuar ende për një zgjatje kontrate me PSG-në.
Ndërsa ka pasur raporte se zgjatja mund të bëhet me një klauzolë që garanton se ai mund të shitet në vitin 2024, është diskutuar gjithashtu se lojtari nuk do të zgjasë, por në vend të kësaj do të heqë dorë nga bonusi masiv i besnikërisë që ai ka të drejtë në mënyrë që ai mund të largohet falas verën e ardhshme.