Eni Imami u largua nga Tirana në ditët e para të janarit dhe iu bashkua Skënderbeut. Mbrojtësi, i cili luan në qendër dhe në të majtë, ka dalë sot para mediave dhe ka folur për lëvizjen e tij dhe paralajmëron rivalët me atë që thotë.
“Uroj që ajo që thashë para ndeshjes me Partizanin, që të kem ardhur me këmbë të mbarë, të vazhdojmë kështu deri në fund të javës. Gjashtë pikë në këto dy ndeshje është perfekte. Vendi i parë është 8 pikë larg vendit të tetë. Janë mëse të rikuperueshme, janë edhe 18 javë për t’u luajtur.
Sigurisht e kemi forcën për të rikuperuar, e treguam edhe në ndeshjen me Partizanin që ky ekip mund të bëjë gjëra shumë të mëdha”, u shpreh Imami para gazetarëve të pranishëm në konferencën e zakonshme për shtyp.
Futbollisti kryeqytetas tregon se ndihet mirë në Korçë, edhe pse e pranon se i ftohti e shqetëson pak. “Të them të drejtën më pëlqen shumë qyteti, njerëzit, klima jo dhe aq (qesh) se është shumë ftohtë. Me të vërtetë jam surprizuar”, deklaron mbrojtësi.
I pyetur në fund për përshtatjen e shpejtë dhe ndihmën e trajnerit Daja për këtë, Imami thotë: “Profesor Daja është shumë i qartë tek ato që kërkon dhe mendoj se kjo është diçka pozitive. E kam gjetur veten mirë dhe më ka ndihmuar”. /abcnews.al

