Energjia për biznesin, lista e pagave dhe fiskalizimi, eksperti: Në fund do ta paguajë populli

schedule19:42 - 30 Dhjetor, 2021

schedule 19:42 - 30 Dhjetor, 2021

Qeveria vendosi sot shtyrjen e afatit për daljen e biznesit në treg për energjinë elektrike. Kjo do të thotë që bizneset do të kenë afat deri në qershor për të dalë në treg të lirë për të siguruar energjinë elektrike. Ministrja Belinda Balluku deklaroi se 7400 biznese do të furnizohen nga OSHEE por me një tarifë më të lartë nga 12.4 që është aktualisht në 19 lekë kilovat në orë. Bizneset u ankuan se energjia elektrike ka një kosto të lartë dhe kjo do t’i çonte drejt mbylljes.

Eksperti i ekonomisë Vjoldi Danaj tha në “ABC” se në fund do të jenë qytetarët që do ta pësojnë me rritjen e çmimeve. “Nuk e shikoj krizën si diçka reale, më duket shumë e fryrë. Qytetarët ndoshta nuk preken në mënyrë të drejtpërdrejtë, por në mënyrë indirekte do të jenë ata që do ta paguajnë” tha ai.

Gjithashtu fiskalizimi u shty për në qershor. “Nuk është gati sistemi jonë të përballojë fiskalizimin. Është e kotë që qeveria shtrëngon biznesin. Duket si presion që ka objektiva të tjera, për të arritur disa qëllime ndoshta jo në favor të biznesit. Mungon studimi i fizibilitetit, janë projekte në letër që nuk janë diskutuar. Është paaftësi totale” tha ai.

Për investimet në këtë moment, eksperti u shpreh skeptik. “Fakti që nuk ka asnjë garues për aeroportin e Sarandës tregon mungesë garancie nga shteti jonë për investitorët. Janë disa projekte që Shqipëria në këtë moment nuk ka shumë emergjencë. Jam skeptik edhe për investimet aktuale, porti i Vlorës, apo rruga Milot-Fier. Ne nuk kemi dalë ende nga kriza”.

Për skandalin e listave të pagave, eksperti theksoi se problemet janë dy; “Nëse i referohemi të ardhurave, pagave që dalin nga administrata, pagat e këshilltarëve nuk janë në përpjesëtim të drejtë. Kjo tregon një shpërdorim të këtyre të ardhurave. Lind pyetja, cfarë po bëhet në këtë vend, që një këshilltar merr më shumë se një pedagog? Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me abuzim. Në sektorin privat kemi evazion duke deklaruar paga minimale, qesharake” tha ai./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!