Kryeministri Rama dha disa lajme të rendësishme sa i përket krizës së çmimeve, me të cilat përballen tashmë familjet shqiptare.
Lajmi më i rendësishëm lidhet me faktin se qeveria është duke studiuar mundësinë e rishikimit të çmimit të energjisë elektrike.
Kryeministri iu referua një studimi që qeveria ka para dhe paralajmëroi se kjo do të ndodhë vetëm për familjet që harxhojnë shumë energji elektrike, por nuk dha detaje se sa do të jetë fasha e harxhimit dhe çfarë konsiderohet “shumë”, gjë që sipas tij është duke u diskutuar.
Kryeministri e tha këtë duke theksuar ndërkohë që qeveria po mbron nga shtrenjtimi i energjisë elektrike në treg abonentët e tjerë familjarë si edhe bizneset e vogla.
“Pavarësisht sa do të rritet energjia, ne e kemi ndarë mendjen që njerëzit nuk do të paguajmë. Është një supersforco e buxhetit për këtë. Ne nuk mund t’i rrisim energjinë biznesit të vogël. 18.44 në momentin që ne do t’i vëmë biznesit të vogël detyrimin të paguajë energjinë sa kushton sot, ne menjëherë ju kemi hequr atyre 1 ose 2 rroga. 95 mijë biznese të vogla, 95 mijë të papunë, nëse ne çojmë faturën siç është. Kemi filluar tani të bëjmë një studim për të hequr nga kjo mbrojtje e plotë familjet që konsumojnë shumë energji se jetojnë në kushte shumë të mira por janë prap një pjesë e vogël, se nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe por po e bëjmë dhe këtë pjesë, por për momentin të gjitha familjet, përfshirë dhe familjet tuaja që jeni këtu, nuk kanë asnjë rritje të çmimit të energjisë”, tha Rama.
Lajmi i dytë i rendësishëm ishte ngritja e bordit të çmimeve, i cili sipas kryeministrit do të shmangë abuzimet në treg duke mundësuar që qytetarët t’i blejnë ushqimet e shportës me çmime më të përballueshme, ndërsa edhe tregtarët të mos cënojnë zinxhirin e furnizimit. Bordi do të fillojë të mblidhet nesër dhe në mënyrë periodike do të përcaktojë çmimet për produktet e shportës, si vaji, mielli, sheqeri, orizi, makaronat, etj.
Mbledhja e parë e bordit do të jetë nesër dhe pritet të shihet ndikimi që do të jetë te çmimet e produkteve bazë, të cilat janë shtrenjtuar ndjeshëm këto ditë për shkak të problemeve me linjat e prodhimit, furnizmin si edhe panikun që ka kapur tregun.
“Ajo që më ka shqetësuar nga raportimi i Ministrisë së Financave është se shumica ia hedh fajin pakicës dhe pakica ia hedh shumicës dhe për të mos patur hedhje faji do futemi edhe ne në këtë mes dhe do krjojmë bord të përbashkët për çmimet e ushqimeve bazë të shportës. Ky bord i përbashkët do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisë dhe përfaqësues tuajt. Dhe çcmimet e ushqimeve bazë do të vendosen aty dhe askush nuk do të tolerohet të vendosë çmime të vendosura aty. Kush vepron ndryshe do t’i konfiskohet prodhimi”, tha Rama.
Kryeministri tha se importuesit e mëdhenj nuk mundet që të mbajnë të njëjtat nivele fitimi si para luftës.
“Unë nuk jam që ju të mos dilni në fitim, por që edhe s’mund të prisni të njëjtat fitime që keni më parë”, tha kryeministri duke theksuar se bordi nuk do të sillet arbitrarisht, por do të marrë në konsideratë interesat e familjarëve si edhe të bizneseve.
Në fund, Rama “zbuloi” edhe një bisedë të mundshme mes tregtarëve të ushqimeve në botën tjetër me Shën Pjetrin, i cili sipas kryeministrit do t’u kërkojë llogari për fitimet e mëdha të nxjerra në kohë lufte.
“Tani nuk është koha për fitime. Tani është koha që edhe ju të lani ca mëkate nga ato që keni bërë më herët. Nuk është koha për të nxjerrë fitime nga gjaku i atyre që po vdesin në luftë. Tani, imagjinoni kur të vdisni dhe të shkoni në botën tjetër. Aty të takoni Shën Pjetrin dhe ai t’ju pyesë çfarë bëtë gjatë jetës dhe një moment t’ju thotë: Ore ç’ne që fituat aq shumë gjatë luftës së Ukrainës? Dhe për këtë gjë, ju të shkoni në rrethin e fundit në ferrit. Mund të thonë myslimanët që kjo s’ka lidhje me ne. Po, ka lidhje. Sepse Zoti është një, vetëm ne këto e kemi ndarë, por në botën tjetër është një”, tha Rama. /abcnews.al