“Ëndrrat nisën në Shkodër”, rrëfehet Robert Radoja: Firzamonika e Prenk Jakovës më bëri që ta dua muzikën

schedule10:05 - 20 Shtator, 2023

schedule 10:05 - 20 Shtator, 2023

Pianisti dhe kompozitori i njohur, Robert Radoja ka bërë një rrëfim për jetën e tij në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC.

Ndër të tjera, ai ka zbuluar dhe rëndësinë që ka pasur qyteti i lindjes, Shkodra në jetën e tij. Radoja tregoi se familja e tij kishte prirje për sport, por ai devijoi dhe zgjodhi muzikën, për të cilën dhe u shkollua.

“Ëndrrat fillojnë në atë vend ku ke filluar të kuptosh se çfarë është jeta, çfarë të rrethon, çfarë është e bukur, çfarë fillon me zgjedh, me vështru dhe me i dediku një gjëje. Si prirje familjare, ne kemi pasur sportin, unë kam dal pak më ndryshe se të tjerët. Kam kënduar shumë i vogël, më tërhiqte muzika, sigurisht piano nuk kishim atëherë, por një firzamonik, derisa erdhi koha për të hyrë në shkollë profesionale, fitova konkursin në Shkodër, përzgjedhjen e bënte kompozitori i paharruar i gjithë kombit shqiptar, Prenk Jakova dhe më dha të drejtën për të konkuruar në Liceun Artistik, ku pas provave të dyta, fitova të drejtën e shkollës. Edhe kështu nisa jetën time”, tha Radoja.

Më tej, ai ndau dhe një episod nga fëmijëria

“Është një ngjarje e çuditshme, se unë kam banuar në fshat dhe të gjithë vinin dhe argëtoheshin darkave me firzamonikë. Prenk Jakova i binte firzamonikës, mirëpo kur ktheheshin, ktheheshin me biçikleta, edhe firzamonikën e linin aty. Ky ka qene objekti i parë që më ka tërhequr gjithmonë”, shtoi Radoja./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!