Ergi Borshi e mbyll me futbollin. Mbrojtësi, i cili në gusht ka mbushur 24 vjeç, është detyruar të marrë një nga vendimet më të rëndësishme në jetën e tij. Nga dje ëndrra e tij për të vijuar të vrapojë me topin në këmbë dhe pas tij ka mbaruar. Gjithsesi ai e ka të qartë se nuk mund të dalë kundër planeve të Zotit.
“20 Prill 2013. Kjo ishte ndeshja ime e parë, ku nisi një rrugëtim i vështirë, i lodhshëm, por jashtëzakonisht i bukur duke ndjekur ëndrrën që kisha që në rrugicat dhe lagjet e Shkodrës. Kundër fatit nuk mund të luftojmë, pavarësisht dëshirës tonë.
Sot një pjesë e imja u shua bashkë me ëndrrën. Zyrtarisht sot, edhe pse pa dëshirën time, largohem nga futbolli dhe dua të falënderoj të gjithë trajnerët e mi, ato që besuan dhe që nuk besuan tek unë, gjithë shokët që fitova nga ky sport, gjithë tifozët dhe qytetet ku jam ndjerë si në shtëpinë time.
Ju falënderoj ju miqtë e mi për mbështetjen që më keni dhënë çdo moment të mirë dhe të keq. Falënderoj familjen time, që më mbështeti gjithë këto vite në çdo rast, në çdo nevojë. I jam shumë borxhli dhe mirënjohës. Zoti ju bekoftë miq! Edhe njëherë, FALEMINDERIT nga zemra. Sinqerisht Ergi Borshi”, shkruante Borshi në orët e vona të ditës së djeshme.
KARRIERA – Borshi e ka nisur gjithçka nga Vllaznia, klub me të cilin ka luajtur në Superiore që në vitin 2013. Hapësirat i ka pasur të pakta, ndërkohë që duhen përmendur edhe dëmtimet që e kanë penalizuar. Veleçiku ka qenë një tjetër stacion në karrierën e tij. Mbrojtësi, që tani kthehet në një ish-futbollist, në elitë është aktivizuar edhe me Tërbunin e Teutën. Gjithashtu ai ka veshur edhe fanellën e Kastriotit në Kategorinë e Parë, si dhe ka provuar të veshë fanellën e kombëtares së 17-vjeçarëve. /abcnews.al