Armando Dobra është 19 vjeç, ka lindur në Londër, aktivizohet në krahun e djathtë të sulmit dhe cilësohet si një nga talentet më të mëdhenj shqiptar. Djaloshi me origjinë nga Mati, i cili është pjesë e Ipswich Town në League One, ëndërron të luajë me Shqipërinë një ditë.
Për ta realizuar do të refuzonte edhe një thirrje nga Anglia. Driblimi është një nga pikat e tij më të forta dhe Dobra prek disa tema gjatë lidhjes direkte me “Fan Zone” në Supersport.
KARANTINA – “Kemi bërë shumë pak stërvitje, tre ose katër herë në javë, pasi është pak e vështirë për shkak të situatës që është krijuar. Jam munduar të punoj edhe në shtëpi, por nuk është njësoj si në fushë”.
DRIBLIMET – “I kam shumë qejf driblimet dhe sa herë që kap topin, provoj të kaloj kundërshtarët. Kam shumë besim te vetja dhe kur kam topin në këmbë, në betejën një kundër një, jam 80-90% i sigurt që do ta kaloj kundërshtarin”.
DOBRA – “Jam nga Burreli, por kam lindur në Londër. Manchester United është skuadra me të cilën jam tifoz. Ofertë nga Liverpool? Po, sigurisht që do ta pranoja”.
IDHUJT – ”Kam shumë qejf Leo Messin, ndërsa në Shqipëri më pëlqen Roshi, i cili është shumë i shpejtë. Messi në Premier League? Padiskutim që do shkëlqente. Këtu është pak futboll fizik, por ai është Messi dhe bën gjithçkja në fushë”.
JASHTË FUTBOLLIT – “Kur nuk luaj futboll, dal me shokët ose luaj Play Station, por nuk është se kam shumë kohë të lire”.
KOMBËTARJA – “Jo, nuk do të pranojë një ftesë nga Anglia, sepse unë dua të luaj për Shqipërinë. Jam shumë i bindur për zgjidhjen time dhe pres të bëhem pjesë e kuqezinjve”.
SHQIPËRIA U21 – “Po, është e vërtetë që kisha një ftesë në mars, por për shkak të koronës nuk u luajtën ato ndeshje. Ishte një hap tjetër për mua grumbullimi te Shpresat dhe u ndjeva krenar, por do më duhet të pres për një tjetër kohë”. /abcnews.al