Ëndrra e një basketbollisti/ Pajtim Seferi shërbeu si ushtarak gjatë regjimit komunist, më pas trajner

schedule20:58 - 25 Mars, 2023

schedule 20:58 - 25 Mars, 2023

Është 80 vjec, por vitet për të janë vetëm shifra. Ky është Pajtim Seferi i cili stërvit çdo ditë 150 fëmijë për disa orë. 80 vjeçari nga Saranda i ka të rrallë shokët, pasi pjesa më e madhe bashkëmoshatarëve të tij, maksimumi luajnë domino nëpër lulishte. Është energjik. Bashkë me një mikun e tij më të ri në moshë ju mëson basketboll fëmijëve dhe adoleshentëve.

“Nuk ka gjë më të bukur se dashuria që të japin fëmijët, unë jam sot rreth të 80 dhe kur vij këtu barazohem me ta dhe u jam mirënjohës të gjithëve.”

Për 29 vjet ka qenë ushtarak, profesion, të cilin ja zgjodhi pushteti pa dëshirën e tij.

“Në vitin 1993 u lirova nga ushtria, 4 vjet në emigrim dhe në vitin 1997 kur në mars kërciste kallashi në vendin tonë unë bëja stërvitje në fushë me fëmijët dhe nuk pati asnjë aksident, dhe pata vetëm vlerësim edhe mbështetje.”

80 vjecari, që përgjatë gjithë bisedës rrezaton mirësi dhe qetësi na tregon lidhjen mes profesionit të ushtarakut dhe pasionantit të basketbollit.

“Janë të dyja të lidhura, kërkojnë përgatitje fizike, psikologjike, morale, fizike dhe njohuri shkencore.”

Por si çdo disiplinë sportive dhe basketbolli ka specifikat e tij.

“Basketbolli është lojë kolektive, sa më shumë harmoni në ekip aq më shumë rezultate. Është lojë që kërkon ritëm të lartë, cilësi, përkushtim. Duhet të sakrifikosh kohën e lirë, vajti ora e stërvitjes kërkon korrektësi, kërkon punë individuale, pa të nuk mund të bëhesh.”

Bashkë me profesor Brunon stërvitin 4 grupe nga 6 deri 16 vjeç. Fëmijët ndeshen përtej Sarandës.

“Si janë rezultatet? Janë shumë të kënaqshme. Vetëm viti e kaluar kemi marrë 3 kupa. Është kënaqësi për ne.”

Po Seferit ka dhe pakënaqësi e rezerva për mungesën e mbështetjes. Thotë se Sarandës i mungon një stadium.

“Mangësi kemi ambientin, është i vogël dhe nuk zhvillojmë dot ndeshje kombëtare.”

Për 27 vjet ka stërvitur pafund të rinj dhe të reja nga Saranda. Tani po stërvit fëmijët e nxënëve të parë.

“Kishte qenë para 10-15 viteve nxënësia ime, më thotë profesor një minutë mund të më regjistrosh fëmijën e kam 5 vjeç e gjysëm. Kur të bëhët 6 ma sill i thashë. Zëri i saj më ngacmoi i thashë kush je, jam filania tha e më përqafoi. Ishte kënaqësi e madhe.”

Pajtimi nuk ka titull profesor, por ndjen shumë kënaqësi, që nxënësit apo dhe qytetarët e thërrasin profesor.

“Më kanë vënë një emër që se kam atë titull, profesor profesor, më thërrasin në qytet është kënaqësi, nder dhe simbol për këtë emër që më kanë vënë qytetarët dhe fëmijët. Në lokal kamarieri më tha profesor ke punuar për këtë ditë.”

Sporti i mban fëmijët larg veseve. Nuk janë pak po 150, që falë përkushtimit të 80 vjeçarit Seferi, sot argëtohen dhe kalojnë kohën në mënyrë të shëndetshme.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!