Të ftuar këtë të enjte në emisionin “Edicioni Veror” ishin dy vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti. Duke folur për projektet muzikore që sollën këtë verë, Endri dhe Stefi zbuluan se së shpejti pritet të sjellin edhe dy këngë të tjera, njëra prej të cilave do të jetë një bashkëpunim.
“Kemi edhe dy projekte të tjera që do të bëhen me miqtë tanë, njëra del në fund të muajit ose në fillim të shtatorit dhe tjetra në fund të shtatorit. Do të jetë një bashkëpunim me Genën.“, tha Stefi.
Ndërkohë, ata u ndalën edhe tek situata e krijuar nga pandemia dhe kriza që ka përfshirë industrinë e muzikës, që prej disa muajsh ndodhet në vështirësi. “Tashmë u bënë pesë muaj e gjysmë që ne jemi në heshtje por për fat të keq jemi lënë në harresë, sepse nuk po shikojmë akoma asnjë lloj reagimi.”, tha Stefi.
Endri dhe Stefi sollën dy bashkëpunime këtë muaj, që rezultuan shumë të suksesshme, një bashkëpunim me Biggie X dhe një tjetër me Gerta Mahmutaj që u publikua pak ditë më parë. /abcnews.al/