Në një apel të ri për maqedonasit, kryeministri i vendit Zoran Zaev, i ka kërkuar atyre të marrin pjesë në referendumin për emrin, në 30 Shtator. Ai theksoi se nëse qytetarët do të zgjedhin bojkotin, atëherë do të jetë parlamenti i vendit, që do të vendosë.
Kryeministri i Maqedonsië, Zoran Zaev, i bëri dhe një herë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë në referendumin për emrin dhe të vendosin për të ardhmen e vendit. Zaev shtoi se përgjegjësia është e përbashkët dhe se nuk ka asnjë alternativë tjetër.
Kreu i ekzekutivit maqedonas tha se i duhej thënë po garancisë dhe stabilitetit përmes anëtarësimit në NATO, identitetit të njohur dhe të konfirmuar maqedonas, gjuhës dhe kulturës.
Ai përsëriti se në rast se qytetarët nuk vendosin në referendum, përgjegjësia kalon tek institucionet, në këtë rast te parlamenti i vendit.
I pyetur nga gazetarët, Zaev shtoi se VMRO-DPMNE do ta bojkotojë, publikisht ose në heshtje referendumin. Gjithsesi ai i bëri thirrje opozitës që të mbështesë referendumin, nëse jo si subjekt, të paktën siç i quajti ai, anëtarët e sinqertë të kësaj partie të rreshtohen në anën e perspektivës euro-atlantike.
Por VMRO-DPMNE këmbëngul se pyetja është manipuluese dhe se ky është referendum privat i kryeministrit. Opozita kërkon nga Zaev të japë dorëheqjen në rast se referendumi nuk ka sukses.
Me përjashtim të VMRO-DPMNE të gjitha partitë parlamentare janë pro referendumit, përfshi edhe parti të cilat janë në koalicion dhe në të njëjtin grup parlamentar me partinë më të madhe opozitare./abcnews.al